Ansi Agolli, ish-futbollisti dhe kapiteni i Kombëtares, shprehet se kuqezinjtë pavarësisht rëndesës psikologjike ia arritën të merrnin me meritë një fitore kundër Kazakistanit, për të shpresuar vendin e parë në përballjen e ditës së nesërme kundër Bjellorusisë.
“E pashë me vëmendje ndeshjen kundër Kazakistanit. Mendoj se ishte një ndeshje jo e lehtë për skuadrën tonë. Nga ana psikologjike, ndeshje e ngarkuar, pasi kjo ndeshje të çonte ose jo te ndeshja e ardhshme që është kundër Bjellorusisë, që është po ashtu një ndeshje e rëndësishme. Në njëfarë mënyre i kuptoj lojtarët që ishin pak të ngarkuar nga ana psikologjike, megjithatë, ata luftuan fort, dhanë maksimumin që në fund të ditës të merrnin atë që dëshironin, që ishte tre pikëshi. Mendoj se tre pikët e kësaj ndeshje ishin gjëja më e rëndësishme e këtij objektivi. Tani është objektivi i ardhshëm që është ndeshja kundër Bjellorusisë”, – shprehet ish-kapiteni kuqezi.
Ansi Agolli ka edhe një mesazh për lojtarët, duke u shprehur se mund të arrijmë objektivin duke qëndruar dhe luajtur bashkë. “Mesazhi im është që djemtë të qëndrojnë bashkë, të luajnë si një skuadër, të zbatojnë detyrat e trajnerit. Kur them të jenë bashkë, them i gjithë grupi, jo vetëm lojtarët që luajnë në 11-shen e parë, por edhe ata që vijnë nga pankina, sepse kjo ndeshje mund të fitohet në ndeshjen e parë, por gjithashtu mund të fitohet edhe në minutën e fundit dhe mund të fitohet edhe nga lojtarët që vijnë nga pankina. Kështu që fryma e grupit është mjaft e rëndësishme në të tilla ndeshje dhe shpresoj dhe uroj që lojtarët të bëjnë një ndeshje të mirë dhe në fund të marrin atë që dëshirojnë dhe që është më e rëndësishme, 3 pikët, për arritjen e objektivit që ata kanë. Kam besimin që ato do kalojnë me sukses dhe pse jo të gëzohen edhe tifozët e shumtë që skuadra ka, që vendi ynë ka. Të gëzohen sa më shumë nga arritja e këtij objektivi. Forca çuna!”- shtoi ndër të tjera Agolli në mesazhin dërguar ekipit kombëtar përmes FSHF-së.