Ish-këshilltari i Kremlinit, Sergei Markov thotë se pritja e fundit e Donald Trump ndaj Vladimir Putininit nuk përbën një triumf, por një sukses diplomatik që i jep atij më shumë hapësirë për të arritur qëllimet në Ukrainë.
Në një intervistë për Corriere della sera, ai theksoi se presidenti amerikan e ka kuptuar se është më mirë të diskutohet për një paqe reale sesa për një armëpushim, duke shtuar se 'kjo përputhje e amerikanëve me tezën e Moskës është një rezultat i madh'.
I pyetur për kërcënimet e Trump për vendosjen e sanksioneve, Markov thotë se ultimatumet nuk funksionojnë me Rusinë. I bindur shprehet edhe për vazhdimësinë e luftës, teksa shtoi se mund të ketë një takim trepalësh Trump-Putin-Zelensky, por marrëveshjet do të sabotohen nga Evropa.
Intervista e plotë e Sergei Markov për Corriere della sera:
Sergei Markov, është vërtet një triumf për Putinin dhe për Rusinë?
"Këto janë marrëzira të shtypit perëndimor. Ata që mbështesin tezën e triumfit të Putinit duan që presidenti ynë të shihet jo si një kreu shteti, siç bën pjesa më e madhe e botës përveç jush, por si një kriminel. Thjesht, Trump e ka pritur në një mënyrë normale. Sigurisht që është një sukses, por jo një triumf. Ai do të vijë kur të ketë një paqe me kushte të drejta për Rusinë".
Qëllimi i Rusisë mbetet ai i vazhdimit të luftës?
"Jo. Putini synon një ndryshim kardinal të regjimit politik në Ukrainë. Kur kërkon “eliminimin e shkaqeve kryesore të krizës”, i referohet kësaj. Për ne, neutraliteti i Ukrainës duhet të sanksionohet në kushtetutë dhe në një traktat ndërkombëtar. Që këto kërkesa të zbatohen nga Perëndimi, Rusia përdor presionin ushtarak, sidomos sepse Europa refuzon të flasë gjuhën e diplomacisë. A do të ishte Meloni gati të diskutonte me Putinin për denazifikimin e Ukrainës? Sigurisht që jo".
Pra i shkreti Putin është i detyruar nga Europa e keqe të bëjë luftë?
"Sapo Meloni, Merz dhe Macron të kenë thënë se janë gati të diskutojnë të gjitha këto probleme në plan praktik, sipas meje Putini do të jetë i gatshëm të ndalojë menjëherë armiqësitë".
Si e gjykoni kërkesën për tërheqjen e trupave ukrainase nga Donbasi?
"Putini duhet t’i ketë thënë Trumpit: dëgjo, nëse vazhdon kështu Donbasin e çlirojmë me forcë. Do të jetë një gjakderdhje për të gjithë, do të kërkojë kohë, sepse është pjesa më e vështirë, por ne nuk kemi ndërmend të heqim dorë. Është perspektiva që e tremb më shumë liderin amerikan. Prandaj, sipas Kremlinit, çdo armëpushim duhet të parashikojë që paraprakisht Donbasi t’i kthehet Rusisë, pasi që nga viti 2014 është objekti kryesor i konfliktit. Mua më duket shumë e thjeshtë".
Siç më thatë në takimin tonë të fundit, ofensiva verore mbetet vijë ndarëse pas së cilës mund të flitet realisht për armëpushim?
"Jam i bindur. Do të ketë përpjekje të tjera për të insistuar mbi armëpushimin. Por do të dështojnë, edhe sepse kushtet shtesë të vendosura nga Putini përveç dorëzimit të Donbasit janë të shumta: jo vetëm denazifikimi dhe çmilitarizimi, por edhe garancia që në territorin ukrainas nuk do të vendosen trupa të huaja, angazhimi i Europës për të mos i furnizuar Kievit armë të rënda gjatë armëpushimit, dhe ndalimi i mobilizimit në Ukrainë. Mua më duket e pamundur që kjo paketë të pranohet".
Mirësisht, ka harruar kushtin e zgjedhjeve në Ukrainë?
"Më është dukur gjithmonë një kërkesë demagogjike dhe propagandistike. Mendoj edhe se votimi nuk do të ishte në favor të Rusisë, sepse një fitore eventuale e Zaluzhnit ose e një figure tjetër të ndryshme nga ky Zelensky kaq i dobësuar, do të ishte një disavantazh për Moskën".
Në terma praktikë, çfarë mund të përfitojë Putini nga Trump në të ardhmen?
"Presidenti amerikan e ka kuptuar që është më mirë të diskutohet për një paqe reale dhe për kushtet e saj, sesa për armëpushimin. Më mirë të futesh në negociata paqeje edhe të gjata, sesa në ultimatume për një ndërprerje të përkohshme. Ashtu siç ka thënë gjithmonë Putini. Kjo përputhje me tezat tona më duket një rezultat i madh. Negociata të zgjatura, ushtria që avancon, dhe sanksionet amerikane që zhduken dalëngadalë: të kesh më shumë më duket sinqerisht e vështirë".
Dhe të hënën, Zelensky do të arrijë të nxjerrë diçka nga Trump?
"Kush mund ta thotë. Takimi i tyre i fundit në Romë ka shkuar mirë. Duhet pranuar që Zelensky është një negociator i aftë. Një ndër më gjenialët, e thotë edhe Trump".
Sanksione eventuale pas dy ose tre javësh a mund të ndryshojnë mendimin e Putinit?
"Aspak. Asnjë ultimatum nuk funksionon me Rusinë. Dhe sinqerisht, në premtimin e bërë nga Trump për të vënë në fuqi sanksione të vërteta dytësore kundër Indisë dhe Kinës, nuk beson askush. As ju europianët".
Çfarë do të ndodhë sipas jush në muajt e ardhshëm?
"Do të ketë me siguri takimin trepalësh Trump-Putin-Zelensky. Megjithatë, Europa do t’i sabotojë marrëveshjet. Prandaj lufta do të vazhdojë".
Rreziqe të përshkallëzimit mes Rusisë dhe Europës?
"Nuk shoh të tilla. Europa ka vetëm nevojë të “sajojë” dhe të simulojë një luftë kundër Rusisë për shumë arsye të ndryshme të politikës së saj të brendshme. Për t’i dhënë vetes një qëllim, për të shmangur ndjesinë e kotësisë".
Komente
