Ish-këshilltari i Tony Blair, Alastair Campbell thotë se arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj pa një akuzë zyrtare është e padrejtë. Në një nga episodet e fundit të podcastit “The Rest is Politics”, ai e cilësoi mbajtjen e tij në burg për një kohë kaq të gjatë si skandaloze, ndërkohë që vijon të jetë drejtues i bashkisë.
“Ajo çfarë mendoj se është skandaloze është se ai është në burg prej disa muajsh pa u akuzuar zyrtarisht për asgjë. Është ky institucion – SPAK – një gjykatë speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i cili është pjesë e punës së Edi Ramës për të luftuar korrupsionin… Dhe SPAK ka fuqi të jashtëzakonshme dhe pretendon se ka shumë prova kundër Erion Veliajt, por ai ka qenë në burg për muaj të tërë, pa iu komunikuar një akuzë. Arsyeja pse e di këtë është sepse e njoh shumë mirë dhe më ka dërguar një letër mjaft të trishtueshme.
Kështu që mendoj nëse do të burgosësh dikë, ose duhet të bësh atë që thua, ose lëre fare. Ai vazhdon të jetë kryetar bashkie, ndërkohë që është në burg, që do të thotë se duhet të drejtojë qytetin e Tiranës, më të madhin në vend. Pra, SPAK mendoj se duhet ose të ngrini një akuzë zyrtare ose bëni diçka. Mendoj se është paksa e tepërt të presësh nga dikush që të jetë kryebashkiaku i njërit prej qyteteve kryesore në Evropë – padyshim kryesori në Shqipëri – ndërkohë që je në burg…”
Komente
