Joel Le Squarnec, 74 vjeç, një ish-mjek kirurg në Francë, pritet të përballet me një dënim prej 20 vitesh burg për përfshirjen në një rast të rëndë abuzimi seksual ndaj të miturve i konsideruar ndër më të rëndët në historinë e drejtësisë franceze. Pas një procesi gjyqësor që zgjati tre muaj në qytetin Vannes të rajonit Brittany, dolën në dritë prova të 111 përdhunimeve dhe 189 sulmeve seksuale të ndodhura mes viteve 1989 dhe 2014, shumica ndaj fëmijëve nën moshën 15 vjeç.
Krimet e tij u kryen në rreth një duzinë institucionesh shëndetësore, ku shumë nga viktimat ishin në gjendje të pandërgjegjshme për shkak të anestezisë ose në proces rikuperimi pas ndërhyrjeve kirurgjikale.
Në sallën e gjyqit, Le Squarnec e pranoi fajin, duke deklaruar:
“E shfrytëzova pozitën dhe besimin që më jepej si mjek për të abuzuar. Nuk kërkoj asnjë mëshirë.”
Sipas vlerësimeve mjekësore, ai përbën rrezik të jashtëzakonshëm për shoqërinë. Rasti ka shkaktuar një valë zemërimi dhe shqetësimi të thellë në opinionin publik, duke nxjerrë në pah mangësitë serioze në sistemin francez të mbrojtjes së të miturve.
Megjithëse ishte dënuar që në vitin 2005 për posedim materialesh të ndaluara me përmbajtje pedofilie dhe kishte marrë një paralajmërim zyrtar nga FBI, autoritetet franceze nuk ndërmorën masa për ta ndaluar atë nga puna me fëmijët. Le Squarnec vazhdoi të punonte si kirurg në institucione publike dhe private deri në daljen në pension në vitin 2017.
Në seancat gjyqësore, drejtues dhe kolegë nga spitalet ku ai kishte punuar pranuan se ose kishin mbyllur sytë ndaj sjelljeve të tij të dyshimta, ose nuk kishin marrë seriozisht sinjalet për rrezikun që ai përfaqësonte.
Drejtoresha e një spitali në Sonjac, Michele Kals, pohoi se ishte në dijeni të të kaluarës së tij, por gjithsesi e punësoi për shkak të mungesës së mjekëve specialistë. Ajo tha se nuk kishte pasur udhëzime konkrete që e ndalonin një gjë të tillë.
Psikiatri Thierry Bonvallot e cilësoi këtë si një “dështim total të sistemit shëndetësor”, ndërsa një përfaqësues i Shoqatës Mjekësore të Charente-Maritime pranoi se me njohuritë e sotme, vendimet do të kishin qenë të tjera.
Le Squarnec aktualisht po vuan një dënim prej 15 vitesh burg të dhënë në vitin 2020 për katër raste abuzimi seksual ndaj të miturve, ndërkohë që pritet që gjykata t’i shtojë edhe 20 vite të tjera për krimet e zbuluara së fundmi, raportojnë mediat.
Jashtë gjykatës, dhjetëra viktima dhe familjarë të tyre protestuan ndaj mënyrës se si institucionet e kishin trajtuar këtë çështje, duke kërkuar ngritjen e një komisioni të pavarur hetimor.
“Është e papranueshme që një proces kaq i rëndësishëm të mos sjellë ndryshime thelbësore në politikat publike,” deklaruan ata. Njëra prej viktimave, Manon Lemoine, e cila u abuzua në moshën 11-vjeçare, u shpreh:
“Ata përpiqen ta shohin atë si një përbindësh individual, por përbindëshi i vërtetë është sistemi që e lejoi të vepronte për dekada.”
Komente
