Kosova & Rajoni

Ish-krerët e UÇK në paraburgim, qytetarët protestë në Prishtinë kundër gjykimit: Po rrezikohet liria dhe e vërteta e luftës

7 Gusht, 14:14| Përditesimi: 7 Gusht, 23:00

  • Share

Kosovë - Pasditen e kësaj të enjteje në Prishtinë u mbajt një tubim i organizuar nga Veteranët e Luftës së UÇK-së, në shenjë kundërshtimi ndaj mbajtjes në paraburgim të ish-krerëve të UÇK-së.

Mijëra protestues, nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe vende të rajonit, u mblodhën në sheshin Skënderbeu të Prishtinës dhe turmës fillimisht iu adresua kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati.

Ai tha se sot po rrezikohet liria dhe e vërteta e luftës së UÇK-së.

Gucati shtoi se Specialja po përhap narrativin “e rremë se Kosova është çliruar nga kriminelët”, duke shtuar se vendi është çliruar nga UÇK-ja, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja.

“Kjo nuk është drejtësi, kjo është dhunë politike. Ky është kriminalizim i UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s”, tha ai.

Të pranishëm ishin edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, si dhe Nevenka Tromp, e cila për një dekadë ka qenë hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

“Populli ynë historikisht ka qenë i bashkuar si një trup i vetëm. Por sot na është rrezikuar identiteti dhe dinjiteti. Prandaj, jemi këtu për të kërkuar liri për çlirimtarët që po trajtohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale”, tha Ahmeti.

Tromp tha se gjykatat duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme dhe nëse drejtësia zbatohet në mënyrë selektive, pasi rrezikon të jetë padrejtësi. Tromp kujtoi se ish-krerët e UÇK-së shkuan vullnetarisht në Hagë, pasi tha se “besuan se do të ketë drejtësi”.

“Këta udhëheqës ishin ata që e mbështetën krijimin e kësaj gjykate. E bënë këtë, duke e ditur rrezikun që kanosej ndaj të gjithë luftëtarëve. Sepse ata besuan në drejtësinë e kauzës së tyre...Ata luftuan dhe fituan”, tha Tromp.

Më herët organizatorët thanë për mediat e Kosovës se një ftesë kanë patur edhe për kryeministrin Edi Rama, i cili nuk mund të marrë pjesë për shkak të axhendës.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, nën akuzat për krime lufte.

Gjykimi i tyre ka nisur më 3 prill 2023, ndërsa vetëm një ditë më parë, Dhomat e Specializuara të Kosovës vendosën të zgjasin edhe një herë masën e paraburgimit ndaj tyre.

Ora 18:22
Tubimi për gjykimin e ish-ushtarëve të UÇK, Ahmeti: Serbia po bën gjithçka që të zhbëjë Kosovën

Foto: Ali Ahmeti

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në protestën e organizuar nga veteranët e UÇK-së në Prishtinë, kundër padrejtësive që po iu bëhen ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.

Ahmeti deklaroi se shqiptarët nga të gjitha trevat u bashkuan në këtë protestë, në përkrahje të luftëtarëve të lirisë

“Shqiptarët nga të gjitha anët - nga Struga, Kërçova, Gostivari, Tetova, Shkupi dhe Kumanova - sot vërshuan rrugët drejt pjesëmarrjes në këtë protestë kundër padrejtësive”, tha ai.

Ahmeti theksoi se shqiptarët gjithmonë kanë qëndruar të bashkuar si një trup i vetëm, por sot përballen me kërcënime ndaj identitetit dhe dinjitetit të tyre

“Populli ynë historikisht ka qenë i bashkuar si një trup i vetëm. Por sot na është rrezikuar identiteti dhe dinjiteti. Prandaj, jemi këtu për të kërkuar liri për çlirimtarët që po trajtohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale”, tha Ahmeti para protestuesve të mbledhur në sheshin “Skënderbeu”.

Ai deklaroi se UÇK-ja i është përmbajtur gjithmonë ligjeve ndërkombëtare të luftës dhe Konventës së Gjenevës.

“Ajo asnjëherë nuk është marrë me të pafajshmit. Asnjëherë nuk ka vrarë civilë, gra, fëmijë apo pleq,” tha ai.

Në fund të fjalës së tij, Ahmeti ngriti alarmin se Serbia dhe përkrahësit e saj nuk janë pajtuar kurrë me të drejtat e shqiptarëve dhe se po bëjnë gjithçka për të zhbërë Pavarësinë e Kosovës.

“Përmes Gjykatës Speciale të Hagës, ajo po përpiqet të përmbysë çdo arritje në Kosovë,” përfundoi ai.

V.GJ /E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ramo: 07/08/2025 20:48

    Eshte kollaj me bo trafik dhe vrasje e plackitje Me perfitu nga situata luftes Por me vone kur vjen dita e gjykimit duan te bejne Si viktima Thaçi e ramushi.. te cilet bashke me vellezer miq E shoke kane bere ca kane dashte me kosoven dhe kosovaret E ndershem duke i mashtruar , gjobitur me miliarda euro Gjoja ne investim te luftes dhe duke ju marre prona e cdo gje Me vlere, kjo dihet boterisht, dhe si perfundim jane ne hasmeri me vetveten perndryshe nuk levizin me 20 bodyguard e makina te blinduara Dhe shtepi te fortifikuara me roje, dhe sdine ku kane pronat neper europe Dhe shqiperi sarande e vlore e rolling hills e green coast Dhe ne pallatet me te shtrenjta ne Tirane! Ku i moren leket udheheqsit e kosoves ?! Respekt per kosovaret e ndershem...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po i liron hapësirat publike aksioni i qeverisë?