Edhe në Selenicë nuk ka pasur asnjë problem në rotacionin që ka ndodhur. Në orën 16:00 ish-kryetari Përparim Shametaj (njëkohësisht edhe kryetar i PD-së) është larguar. Report Tv sjell pamjet e momentit kur Shametaj përshëndetet me administratën pas drejtimit 4 vite të bashkisë.
Më pas ka ardhur i zgjedhuri i ri Pëllumb Binaj nga radhët e socialistëve. Pas marrjes së detyrës së kryetarit të ri, Gjiknuri, koordinator politik i PS-së në qarkun e Vlorës vlerësoi ish-kryetarin. "Ish-kryetari pavarësisht urdhrave politikë ishte bashkëpunues dhe nuk nxori asnjë problem dhe mendoj që dua ta falenderoj për punët e mira që ka bërë" tha ai. Kryetar i këshillit me 21 anëtarë, 15 nga të cilët nga e majta u zgjodh Xhezmi Sinani nga partia e Gjelbër.
Sot u betua edhe kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro që do të drejtojë bashkinë edhe për katër vite të tjera. "Suksese Jorgo Goros në mandatin e ri si Kryetar i Bashkisë së Himarës. Përtej vazhdimit të projekteve transformuese, në këto 4 vite të ardhshme, sfidë e bashkisë do të jetë zbatimi i ligjit të ri për kadastrën, për ti dhënë zgjidhje shqetësimit të kahershëm të banorëve të kësaj zone Himara Qe Duam" tha Gjiknuri. Në Himarë janë 21 anëtarë të këshillit, 20 të PS-së dhe një nga Bindja Demokratike Kriso Cipa.
Lajmi kryesor:
Betohen 8 kryetarë të rinj! Rotacion i butë LSI-PS në Bulqizë, daja puth nipin dhe i dorëzon bashkinë, Gjiknuri falenderon demokratin
/b.ha./ReportTv.al