Ish-kryeministri pakistanez dënohet me 14 vjet burgim për korrupsion! 14 vite edhe për bashkëshorten

31 Janar, 08:38| Përditesimi: 31 Janar, 13:08

  • Share

Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, dhe bashkëshortja e tij, Bushra Khan, janë dënuar secili me nga 14 vjet burgim lidhur me shitjen e paligjshme të dhuratave shtetërore, tha partia e tij më 31 janar.

Në këtë vendim po ashtu përfshihet përjashtimi për dhjetë vjet i mbajtjes së ndonjë posti publik, tha partia e Khanit, Pakistan Tehreek-e-Insaf (PTI). Bushra Khan, që njihet më shumë si Bushra Bibi, u arrestua pak pas vendimit, tha PTI.

Dënimi i shqiptuar nga një gjykatë në Islamabad për këtë rast të korrupsionit vjen një ditë pasi Khan u dënua me dhjetë vjet burgim për një rast tjetër, pasi u gjet fajtor se kishte zbuluar sekrete shtetërore.

Dy dënimet ndaj ish-kryeministrit vijnë një javë para se në Pakistan të mbahen zgjedhjet kombëtare.

“Edhe një ditë e trishtuar në historinë e sistemit tonë gjyqësor, i cili po shkatërrohet”, tha për mediat ekipi i Khanit, duke mohuar akuzat.

“[Gjatë gjykimit] nuk u lejua që të merreshin në pyetje dëshmitarët, nuk pati argumente përmbyllëse dhe vendimi doli si i paracaktuar. Ky është vendim qesharak që do të sfidohet”, tha ekipi.

Në gusht të vitit 2023, një gjykatë tjetër dënoi me tre vjet burgim Khanin pasi e gjeti fajtor se kishte shitur dhurata në vlerë prej 501.000 dollarësh, që ishin në pronësi të shtetit dhe të njëjtat ai i kishte pranuar gjatë mandatit të tij si kryeministër nga viti 2018 deri më 2022.

Vendimi i së mërkurës nuk lidhet me rastin paraprak, por ka të bëjë me rastin e iniciuar pas hetimeve të kryera nga trupi kryesor në Pakistan kundër korrupsionit, Byroja Kombëtare e Llogaridhënies, institucion që po ashtu ka ngritur aktakuzë ndaj bashkëshortes së Khanit në këtë rast penal.

Dënimi paraprak prej tre vjetësh burgim më herët ishte pezulluar, por Khan vazhdon të qëndrojë prapa grilave për shkak të disa rasteve të tjera. Ai ka deklaruar se ligjshëm i ka pranuar dhuratat shtetërore.

Zyrtarët qeveritarë kanë pretenduar se ndihmësit e Khanit i kanë shitur këto dhurata në Dubai.

Një dënim paraprak i shqiptuar ndaj Khanit, 71 vjeç, rezultoi me një ndalesë pesëvjeçare për mbajtjen e posteve publike, duke i pamundësuar ish-kryeministrit që të marrë pjesë në zgjedhjet e shkurtit. Megjithatë, pas vendimit të shqiptuar të mërkurën, Khan nuk do të mund të mbajë një post publik deri në moshën 81-vjeçare.

Përderisa Khan është gjetur fajtor në dy raste të ndara, ky është dënimi i parë i shqiptuar ndaj bashkëshortes së tij Bushra. Çifti është martuar më 2018, disa muaj para se Khan të zgjidhej kryeministër për herë të parë. Kjo është martesa e tretë e Khanit./ REL

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?