Reshjet/ Ishmi përmbyt tre fshatra! Rritjen prurjet në Drin e Mat! Vjosa merr përpara urën e Drashovicës! Del nga shtrati edhe Erzeni! Evakuohen 5 familje në Durrës

25 Janar 2021, 07:50| Përditesimi: 25 Janar 2021, 20:59

  • Share

TIRANË- Reshjet e dendura të shiut gjatë mbrëmjes së djeshme kanë sjellë problematika në disa zona. Report Tv mëson se ka dalë nga shtrati lumi Ishëm e për pasojë dhjetëra hektarë tokë janë nën ujë në fshatrat Murqinë, Mallkuç dhe Bilaj. Siç raporton gazetari Julian Shota, niveli i uji është më i lartë se i 2 javëve më parë ku u raportuan përmbytjet e mëdha.

Ndërkohë, si pasojë e motit të keq është shtyrë nisja e trageteve nga Bari në portin e Durrësit dhe anasjelltas. Në lumin Drin e Mat janë rritur prurjet, por nga sa raportohet deri tani nuk përbëjnë rrezik për të dali nga shtrati, Në Lezhë, problem është furnizimin me energji elektrike, ndërsa në Finiq një urë e kanalit ujitës është ndarë në dysh.

Edhe lumi Vjosë ka dalë nga shtrati ditën e sotme si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Lumi ka dalë nga shtrati pranë urës së Mifolit dhe si pasojë, ka përmbytur pjesën e pazarit.

Ora 20:56
Përmbytjet në Durrës, evakuohen 5 familje

Reshjet e dendura të shiut sollën përmbytje në zonë  e Shijakut dhe Sukthit, por që me pushimin e reshjeve situata shihet drejt përmirësimit. Forcat e ushtrisë kanë shkuar në ndihmë të banorëve të përmbytur Shijak dhe Sukth duke bërë të mundur evakuimin e 5 familjeve me 21 pjesëtarë.

Emergjencat në Durrës bëjnë me dije se niveli i ujit gjatë mbrëmjes ka rënë me 70 cm dhe situata është në tendencë përmirësimi.

1611604945_DURRESS3.jpeg

1611604956_DURRESS1.jpeg

Ora 20:42
Vjosa ka dalë nga shtrati, prefekti i qarkut Vlorë: Rritet niveli i lumit, nëse shkon në 7 e 60 metra japim alarmin

Lumi Vjosë ka dalë nga shtrati gjatë ditës së sotme por situata vijon të bëhet më shqetësuese pasi kemi rritje të nivelit të ujit.

Deri më tani niveli i lumit Vjosë ka shkuar në 7 e 20 metra. Sipas prefektit të qarkut Flamur Mamaj kur të shkojë 7 e 60 metra jepet sinjali i alarmit. Deri më tani në Selenicë kemi 13 hektarë tokë të përmbytur.

“Situata nuk mund të quhet problematike e kemi nën monitorim. Kemi gjithë ditën duke monitoruar situatën. Niveli aktual është 7 e 20 është një nivel i rritur për shkak edhe të baticës dhe erërave të forta. Kemi dhe rritje të kuotave në urën e Mifolit. Nivelet kanë rënë ndjeshëm si në përmet dhe në Memaliaj. Këto kuota na japin garancinë se nuk do kemi situatë emergjente.

Në duhet të kalojmë kuotat 7 e 60 që të fillojmë të marrim masat paraprake. Po të shikosh situatën meteorologjike apo çka ka ndodhur në këto 24 orë vlerësojmë se të paktën të gjitha dëmet e shkaktuara janë prej kushteve atmosferike dhe lumit shushica. 13 hektare tokë në Selenicë janë të përmbytur”, thotë ai.

Ora 18:01
Moti i keq, drejtori i KESH: Shkarkimet me minimum, nuk ndikon në zonën e Nën Shkodrës (Nivelet e liqeneve)

1611594382_1610091596PERMBYTJE.jpg

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka pasur probleme në disa zona në vend. Drejtori i KESH, Benet Beci teksa ka bërë një bilanc, thotë se Korporata Elektroenergjitike Shqiptare po administron situatën duke arritur të akumulojë në rezervuarët e Hidrocentraleve sasinë e shtuar të prurjeve gjatë orëve të fundit

Beci thotë se prurjet totale janë 1900 m3/s. Nivelet e liqeneve sipas Becit janë: HEC Fierzë, 289.41 mmnd (296 mmnd niveli maksimal i liqenit); HEC Koman, 170.38 mmnd (176 mmnd niveli maksimal i liqenit); HEC Vau Dejës, 71.83 mmnd (76 mmnd niveli maksimal i liqeni).

“Korporta Elektroenergjitike Shqiptare po administron situatën duke arritur të akumulojë në rezervuarët e Hidrocentraleve sasinë e shtuar të prurjeve gjatë orëve të fundit. Shkarkimet nga porta e Hec Vau Dejës aktualisht janë 500m3/s, sasi kjo, që nuk ndikon në rritjen e nivelit të ujit në zonën e nën Shkodrës.

Nivelet e liqeneve janë:

• HEC Fierzë, 289.41 mmnd (296 mmnd niveli maksimal i liqenit)

• HEC Koman, 170.38 mmnd (176 mmnd niveli maksimal i liqenit)

• HEC Vau Dejës, 71.83 mmnd (76 mmnd niveli maksimal i liqeni)

KESH, po menaxhon situatën duke garantuar sigurinë e digave dhe furnizimin e plotë me energji elektrike të konsumatorit vendas. Gjithashtu do të vijojë bashkëpunimin me autoritetet përgjegjëse dhe do të mbajë të informuar në mënyrë transparente opinionin publik”, shkruan drejtori i KESH.

Ora 17:27
Dalja e Vjosës nga shtrati në Vlorë, kryetari i Novoselës: Reshjet pushuan, uji tërhiqet gjatë natës! Përmbyten 5 banesa pranë lumit

Dalja e lumit Vjosa nga shtrati për shkak të reshjeve të dendura ka sjellë përmbytje në zonat përreth megjithatë situata duket më qetë dhe se shpresohet që gjatë natës lumi të tërhiqet sërish dhe të sjellë një përmirësim të situatës. Gjatë inspektimeve në zonat e përmbytura ishte Kanan Shakaj, kryetari i njësia Novoselë dhe Ervis Mocka kryetari i qarkut Vlorë. Shakaj tha se reshjet kanë pushuar dhe lajmi i mirë është se prurjet janë më të pakta edhe nga Përmeti dhe Memaliaj ku nuk ka më reshje. Ai tha se situata përmirësohet në mbrëmje, ndërsa tha se janë përmbytur vetëm 4 apo 5 banesa që ndodhen buzë lumit dhe se banorët janë lajmëruar.

"Niveli tani është 7 metra por duke parë që reshjet pushuan dhe kemi lajme të mira që dhe nga Përmeti e Memaliaj ka pushuar reshjet dhe këtu do të ketë prurje deri në 12 natës, më pas nuk na shqetësojnë më prurjet e Vjosës. Është ngritur Shtabi i Emergjencës dhe janë bërë njoftimet sipas protokollit. Rrezikohen vetëm 4 apo 5 banesa që janë në buzë të lumit por janë marrë masat dhe janë njoftuar banorët", tha Shakaj.

Ora 16:23
Reshjet, Vjosa merr përpara urën e Drashovicës në Vlorë, përmbytet edhe pazari

Shirat e dendur dhe dalja e Vjosës nga shtrati ka bërë që të shembet Ura e Drashovicës në Vlorë.

Kjo urë lidh lagjen e Paramillosë duke lënë banorët e Drashovicës pa ujë.

Ndërkohë që në Vlorë është përmbytur edhe pjesa e pazarit.

 

Ora 15:43
Reshjet e dendura të shiut, del nga shtrati lumi Vjosë! Përmbytet pazari

1611585892_maxresdefault.jpg

Lumi Vjosë ka dalë nga shtrati ditën e sotme si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Lumi ka dalë nga shtrati pranë urës së Mifolit. Si pasojë, ka përmbytur pjesën e pazarit. Tashmë niveli i Vjosës ka arritur 6.9 metra.

Ora 13:09
Video/ Përmbytje në zonën e Fushë-Krujës, 30 banesa të rrethuara nga uji

Report Tv sjell pamje nga përmbytjet në zonën e Fushë-Krujës.

Si pasojë e reshjeve të shiut, janë 30 banesa të cilat janë rrethuar nga uji ndërsa janë shumë sipërfaqe bujqësore të përmbytura.

Ora 10:38
Reshjet e shiut, rrëshqitje dherash në aksin Fier-Ballsh (VIDEO)

Reshjet e shiut kanë sjellë problematika në disa rrugë nacionale të Fierit.

Si rezultat i reshjeve, në aksin rrugor Fier-Ballsh ka pasur rrëshqitje dherash.

Ky aks është bllokuar në vendin e quajtur Kthesat e Visokës ku punonjësit e ARRSH-së janë në terren për të bërë të mundur pastrimin e saj.

1611567511_ballsh.jpg

Ora 10:35
Reshjet, del nga shtrati edhe Erzeni! Përmbyten disa banesa në Shijak (VIDEO)

Reshjet e dendura të shiut gjatë mbrëmjes së djeshme kanë bërë që prurjet në Lumin Erzen të jenë shumë të mëdha dhe si pasojë raportohet se ai ka dalë nga shtrati.

Në të dyja anët e Urës së Shijakut janë nën ujë disa banesë.

1611567464_shijaku.jpg

Ora 09:45
Përmbytje në Shkodër/ Mbi 2500 hektarë tokë ndodhen nën ujë! (VIDEO)

Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin ka sjellë problematika në Qarkun e Shkodrës ku si pasojë janë përmbytur mbi 2500 hektarë tokë bujqësore.

Bashkia e Shkodrës njofton se në hidrometrin në Dajç, krahasuar me një ditë më parë, kemi një rritje të nivelit të ujit me 60 cm.

Hidrometri i Liqenit të Shkodrës shënon kuotën 8.58 m. Në krahasim me raportimin e ditës së djeshme kemi rritje të nivelit të ujit me 40 cm.

Hidrometri i lumit Drin në shënon kuotën 7.15m. Në krahasim me raportimin e ditës së djeshme kemi rritje të nivelit të ujit me 75 cm.

Rruga e Obotit është e kalueshme vetëm me mjete të larta. Niveli i ujit mbi rrugë arrin rreth 85 cm.

Ora 09:40
Reshje të dendura me intensitet edhe në qarku e Lezhës, pa probleme me energjinë eklektike (VIDEO)

Reshje të dendura dhe me intensitet të lartë ka pasur edhe në qarkun e Lezhës.

Fatkeqësisht, nën ujë janë 250 ha sipërfaqe e tokave bujqësore, nga të cilat 150 ha janë në Zadrim dhe 100 ha në Tovoricë.

Në pjesën më të madhe të qarkut furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm është një ndër çështjet pa problematika, por ditën e djeshme për shkak të erës së fortë është ndërprerë energjia elektrike në linjat e njësive administrative Balldre dhe Blinisht, megjithatë ato janë riparuar menjëherë nga OSHE-ja.

Rrugët nacionale dhe rurale bashkiake janë lehtësisht të kalueshme dhe pa problematika serioze.

Strukturat e specializuara dhe të posaçme janë në gatishmëri të plot për ndjekjen dhe ndërhyrjen në situata emergjente.

Njoftimi i plot: 

Situata në qarkun Lezhë, date 25.01.21, ora 09.00', është:

-gjatë natës kemi patur reshje me intensitet mesatar në të lartë, me rreth  50 mm;

-në bashkinë Lezhë, kemi 250 ha  sipërfaqe të tokave bujqësore të përmbytura, nga të cilat 150 ha në Zadrim ë 100 ha në Torovicë.

-hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë për evadimin e ujërave;

-rezervuarët janë në monitorim ë nuk paraqesin probleme;

-lumi Drini është  + 1.6 m nga +2.00 m  të  kuotës kritike,;

-lumi Gjadër është  50 cm nen kuoten kritike;

-lumi Mat  është +2 m nga +4 m të kuotës kritike;

-kanalet e ujërave të larta ë ato të dyta e të treta janë në kuota të larta;

-furnizimi me energji elektrike ë ujë të pijshëm, është pa problem. Nga era e forta të ditës djeshme kemi patur ndërprerje të energjisë në linjat e njësive administrative  Balldre ë Blinisht, por që janë riparuar nga specialistët e OSHE ;

-rrugët nacionale, rurale ë bashkiake janë të kalueshme ë pa probleme;

-Strukturat e MC,  janë në gatishmëri për ndjekjen e situatave dhe ndërhyrje.

Mbetemi në kontakt për çdo situatë.

Ora 09:36
Moti i keq/ ARRSH: Vazhdon qarkullimi normal në të gjitha akset kombëtare

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dhënë një njoftim mbi gjendjen aktuale të rrugëve.

“Informacion mbi gjendjen e akseve kombëtare! Gjatë natës kanë vazhduar reshjet në të gjithë territorin, por pa sjellë probleme të mëdha me qarkullimin.

Vazhdon qarkullimi normal në të gjitha akset kombëtare. Rënia e materialeve në segmentet: Ura e Kranës Syri i Kaltër, Lukovë-Bunec, Librazhd-Elbasan, në Kalimash km 107 dhe Shkopet-Ulëz është mbajtur gjithe kohën nën kontroll, për të mos sjellë probleme në qarkullim.

Në rrugën e Dardhës në orët e para të mëngjesit, për shkak të temperaturave të ulëta rekomandohet që  nga km 6 deri në km 12 të qarkullohet me zinxhirë. Kontraktorët janë në gadishmëri për përballimin e çdo situate që mund të paraqitet”, njofton ARRSH.

Ora 08:57
Rrëshqitja e dherave/ Dëmtohet aksi Vlorë- Radhimë! Rruga e kalueshme vetëm në një aks (VIDEO)

Si pasojë e rrëshqitjes së dherave është dëmtuar aksi Vlorë- Radhimë, pranë vendit Jonufër. Siç shihet në pamjet që Report Tv dëmi është i madh për pasojë rruga është bërë e kalueshme vetëm në një aks.

Ora 08:42
Reshjet e dendura të shiut/ Rriten prurjet në lumin Drin e Mat, s’ka rrezik për dalje nga shtrati! Probleme me energjinë në disa zona (VIDEO)

Nga moti i keq janë krijuar probleme me furnizimin me energji elektrike në disa zona në Lezhë, ndërsa grupet e punës së OSHEE ndodhen ne terren për riparimin e defekteve. Reshjet e shiut të renë gjatë natës kanë rritur prurjet e lumenjve Drin dhe Mat, por sipas të dhënave nuk ka rrezik për dalje te tyre nga shtrati.

1611560565_lezha.jpg

Ora 08:36
Shirat e dendur gjatë natës/ Ndahet në dysh ura e kanalit ujitës në Finiq, Report Tv sjell pamjet

Shirat e shumtë kanë shkatërruar gjatë natës urën e kanalit ujitës "Thoma Filipeu" në Livinë, Bashkia Finiq.

Kanali ujitës është ndërtuar gjatë viteve të komunizmit dhe shërbente për vaditjen e gjithë fushave të Vurgut.

Më herët gjatë një takimi me ish ministrin e Bujqësisë Bledi Çuçi, kryetari i Bashkisë Finiq kishte kërkuar rikonstruksionin e kësaj vepre ujitëse.

1611560233_00e9d3e38d2c400ba4558df50611bd22.jpg

Ora 08:33
Korça nën një ‘vello’ të bardhë dëbore dhe me reshje të dendura, gjendja nën kontroll (VIDEO)

Ditën e sotme Korça është zgjuar nën një “vello” të bardhë dëbore me trashësi prej 5-15 cm, në zonat +1200m, të shoqëruara edhe me erë të fortë.

Në Korçë nuk kanë munguar edhe reshjet e dendura të shiut.

Aktualisht po punohet që kalimi i qytetarëve dhe i automjeteve të bëhet më i lehtë përmes pastrimit të dëborës dhe kriposjes së rrugëve.

Apel i bëhet të gjithë drejtuesve të automjeteve me  nga 6-12 km të përdorin zinxhirë, ndërkohë që automjeteve të vogla i rekomandohen gomat dimërore.

Ndërkohë ende nuk janë paraqitur probleme në akset e tjera rrugore nacionale dhe turistike.

Ora 08:30
Ishmi del nga shtrati/ Rreth 30 banesa të rrethuar nga uji, banori: Disa fshatra të përmbytura (VIDEO)

Një prej banorëve në fshatin Murqinë shprehet se situata është e rënë, ku disa prej banesave janë nën ujë, ndërkohë, flitet për rreth 1500 ha tokë të përmbytur. 30 banesa janë të rrethuara nga uji dhe rrezikon që të futet brenda banesave.

“Banesat janë nën ujë, ka uji në shtëpi, në të dyja anët. Në fshatin tonë besoj se 1500 ha janë përmbytur tokë e mbjellë gjysma, janë 4 fshatra nën ujë Morisë, Mallkuç, Bilaj deri Gjuricë”, shprehet banori.

Ora 07:58
Ishmi del nga shtrati, dhjetëra hektarë nën ujë në fshatrat Murqinë, Mallkuç dhe Bilaj, hera tretë brenda një muaji që përmbyten (VIDEO)

Report Tv mëson se ka dalë nga shtrati lumi Ishëm e për pasojë dhjetëra hektarë tokë janë nën ujë në fshatrat Murqinë, Mallkuç dhe Bilaj. Kjo është hera e tretë që përmbyten brenda një harku kohor prej një muaji.

Siç raporton gazetari Julian Shota, niveli i uji është më i lartë se i 2 javëve më parë ku u raportuan përmbytjet e mëdha. Fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar apo dëme në banesa, por vetëm në bujqësi pasi tokat kanë qenë të mbjella me kultura të ndryshme.

Ora 07:55
Moti i keq/ Shtyhet nisja e trageteve nga Durrësi në Bari dhe anasjelltas! Anijet e vogla dhe peshkarexhat ankorohen në port

Si pasojë e motit të keq është shtyrë nisja e trageteve nga Bari në portin e Durrësit dhe anasjelltas. Gazetari i Report Tv, Artur Korriku raporton se ragetet u nisën vetëm në mëngjes për në Bari të  Italisë. Ato duhej të niseshin mbrëmë nën orën 23.00. Mbërrijnë në Bari në mesditë.

Ndërkohë edhe tragetet që duhej të niseshin mbrëmë nga Bari në drejtim të Durrësit janë nisur vetëm sot më mëngjes në orën 07.00 dhe pritet të mbërrijnë në Durrës pas orës 14.00.

Anijet e tonazhit të vogël dhe peshkarexhat janë të ankoruara në port deri në qetësimin e motit.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • olti: 26/01/2021 00:06

    NJE LUME i vogel si ishmi arrin e fryhet dhe te permbyt,,,,,o derra mos rrini neper kafe ,,por thelloni lumejte ne vere qe te mos keni perbytje ne dimer...

    Përgjigju
  • vera: 26/01/2021 00:02

    OBOTI DHE FSHATRA TE TJERE QE JANE ATY NE FUSHE NE SHKODER DHE LEZHE TE SHPERNGULEN DHE TE VENDOSEN NE KODRAT ATY PERRETH,,,,QEVERIA DUHET TI LARGOJE KETO SHTEPI NGA KETO ZONA,,,KAQ E VESHTIRE ESHTE TE SHPERNGULESH DISA FSHATRA NEPER KODRA,,,,,DHE ME QE ZONA KA SHUME UJE ,,DHE TOKA TE PERMBYTURA,,,,KETO TE MBILLEN ME ORIZ,,,SEPSE ORIZI DO SHUME UJE,,,KJO ESHTE ZGJIDHJA ,,,,,ME VONE DUHEN BERE DHE KANALE KULLUESE DHE THELLIM SHTRATESH LUMEJSH...

    Përgjigju
  • ymeri: 25/01/2021 20:38

    SHTEPI 2 M LARG LUMIT,,,ju hengert mortja mor shpellare,,,,lumi tju marre sa me pare,,se nuk i duheni kujt..

    Përgjigju
  • Tevere: 25/01/2021 19:33

    Ndërtimet pa leje në toka fushore e bujqësore, pranë lumenjve,t'a mbajnë vetë përgjegjësi,si dhe ata që i kam lejuar me ne krye Bacën BiBerishovic

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?