Koncesioni i sterilizimit, ish-ministri Ilir Beqaj merret nesër në pyetje, njihet me masën 'detyrim paraqitjeje'! Shkeljet për të cilat e akuzon SPAK

19 Nëntor 2023, 14:10| Përditesimi: 19 Nëntor 2023, 19:21

  • Share

Gjykata e Posaçme ka caktuar mesditën e të hënës për seancën e marrjes në pyetje të ish-ministri i shëndetësisë Ilir Beqja, ndaj të cilit janë vendosur masat e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim dalje jashtë shtetit, për shkak të hetimeve për koncesionin e sterilizimit. Seanca do të drejtohet nga gjyqtari i hetimeve paraprake, Erjon Bani pas kërkesës që është bërë nga vetë prokuroria e Posaçme.

Masat e sigurisë për Beqjen u miratuan nga Gjykata e Posaçme më 16 nëntor, bazuar në kërkesën e prokurorisë. Deri tani nga hetimi i SPAK ai është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro, pas arrestimit në gusht të këtij viti të biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar shkelje në procedurat e dhënies së koncesionit, siç dyshohet me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staçini.

Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t'u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes zv.ministrit Klodian Rrjepaj si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Ilir Rrapajt si biznesmen përfitues i tij. Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.

Emri i Beqajt mungoi fillimisht në listën e personave të akuzuar për 'shpërdorim detyre' dhe 'mashtrim me pasoja të rënda', por në një vendim për masë sigurie, gjyqtari Erjon Bani vlerësoi se shkeljet e akteve ligjore ngriheshin në nivelin e përgjegjësisë penale për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja.

Ndaj tij është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës, ndërkohë që gjyqtari vlerësoi hetimet si të paplota në momentin e vendosjes së 9 masave të para për këtë çështje dhe orientoi Prokurorinë drejt hetimit edhe për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

Ora 19:19
Caktimi i masës ‘detyrim paraqitje’ për Beqajn, PD: Qeveria e mbytur në korrupsion, SPAK t’i shkojë deri në fund hetimit për 'sterilizimin'

Zëdhënësja e Partisë Demokartike, Mirela Karabina ka reaguar pasi ndaj ish-ministrit Ilir Beqaj u vendos masa e sigurisë ‘detyrim paraqitjeje’ dhe ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’ për hetimet për koncesionin e sterilizimit.

Karabina në një deklaratë për mediat tha se kjo është një tregues i qartë se qeveria është e mbytur në korrupsion. Ajo i bëri thirrje SPAK që t’i shkojë hetimit deri në fund.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË, ZËDHËNËSJA MIRELA KARABINA

Partia Demokratike e Shqipërisë është e vendosur në mbështetjen e saj për çdo hetim dhe për çuarjen përpara drejtësisë të çdo zyrtari të korruptuar në këtë vend. Shqiptarëve u ka munguar drejtësia, ndaj ata presin të vërtetohen akuzat penale në mënyrë që të ndërpritet balta dhe tymnaja politike.

Vetëm kështu mund të merret vesh e vërteta dhe koha e pandëshkueshmërisë të marrë fund. Dhënia e masës së sigurisë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për koncensionin e sterilizimit, është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ne si Parti Demokratike jo vetëm që e kemi denoncuar të parët këtë aferë, por shprehim mbështetjen tonë maksimale për organin e akuzës dhe kërkojmë që çështja të hetohet me profesionalizëm dhe me korrektësi. Ne si Parti Demokratike kërkojmë nga SPAK që njëkohësisht të vijohet me inceneratorët dhe aferat e tjera të kësaj mazhorance, të cilat ne vazhdimisht i kemi bërë publike.

Dhënia e masës ndaj Ilir Beqajt, mikut të ngushtë të Edi Ramës, është treguesi më i qartë se kjo qeveri është e mbytur në zullume dhe në korrupsion. 40 hajdutët e mazhorancës kanë Edi Ramën në krye, ndaj çdo hetim dhe fillim çështjeje penale, në të vërtetë është ngushtim laku për shefin e tyre. Partia Demokratike si e vetmja forcë euro-atlantike inkurajon hetimet, shpreh mbështetjen e saj dhe siguron shqiptarët se do të vijojë të denoncojë aferat korruptive të kësaj qeverie.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Av.Ina: 19/11/2023 22:36

    Shperdorim detyre kur p.sh nje drejtor puneson nje te aferm ne kundershtim me ligjet dhe rregullat apo kur nje zyrtar demton nje qytetar duke shkelur ligjin. Por kur firmosen shpenzime 100 apo 150 milione euro duke shkelur ligjet,shperdorimi i detyres behet per perfitim korruptiv. Hetimi dhe akuza kryesore duhet te jete per korrupsion, pasurim te paligjshem dhe pastrim te produkteve te vepres penale sepse shperdorimi i detyres ne kete rast eshte mjeti, menyra per te marre perfitimin e paligjshem. Ne po lexojme qe ky koncension ka perlare deri tani 100 miliarde leke per te kryer nje sherbim qe me pare kushtonte maksimumi 1.5 miliarde. Eshte vjedhje kolosale,si mund te mbyllet vetem me shperdorim detyre apo mashtrim?

    Përgjigju
  • Doku: 19/11/2023 20:40

    Aman si do ja bej shoqja kunate qe e ka vene drejtoreshe te madhe me dogana dhe qe e beri lemsh se eshte e paafte dhe hajdute. I preu krahet

    Përgjigju
  • Koli: 19/11/2023 19:07

    Dosja e sterilizimit, rekord botëror grabitjeje ku për të zier një palë vegla kirurgjie zhvatet me një çmim gjashtë- shtatë herë më shtrenjt se në UK e Gjermani, ka degraduar në një farsë qesharake dhe të turpshme. Sipas këtyre që po lexojmë vjedhjen e paska bërë dyshja Rrapaj-Rrjepaj dhe Beqja i shkretë na paska qenë sylesh e ja kanë hedhur këta të dy! Kur nuk ka shqiptar që nuk e di se fshatari emigrant Rrapsi është thjesht një prestanome, shoku i tij i shkollës Rrjepsi është ndërmjetës sekseri dhe pronarët e vërtetë të aferës janë shokët basketbollistë Ramsi-Beqsi. Do të mjaftonte të ndiqej paraja, të hetohej çfarë është bërë me paratë që ka marrë Sani (janë mbi 100 miliardë lekë deri tani), si jane shpenzuar, si kanë kaluar fitimet nga Sani dhe prestanomja tek pronarët vërtetë dhe gjithçka do dilte në dritë.

    Përgjigju
  • xXx: 19/11/2023 17:51

    Ashtu te pafsha dyerve te gjykatave,si qen i rrahur...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?