Ish-ministrja e Arsimit në Shqipëri në qeverinë “Rama”, Besa Shahini, shpall kandidaturën për kryetare të Prishtinës.
Njoftimin e ka bërë vetë ish-zyrtarja e lartë, përmes një video-postimi në Facebook për ndjekësit e saj.
Shahini ka ndarë videon ku njofton vendimin për të kandiduar në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë në Kosovë, për t’u bërë qytetarja e parë e Prishtinës.
Shahini shprehet mes të tjerash se: “Prishtinës i duhet një ndryshim radikal, ndaj do të garojë në zgjedhjet lokale”, teksa iu bën thirrje qytetarëve për t'u bërë pjesë e këtij ndryshimi.
‘‘Para 4 viteve jam kthyer të jetoj në Prishtinë nga Tirana, në një qytet që e dua fortë, që e ka një potencial të jashtëzakonshëm, i cili ka marrë një kahje të gabuar në zhvillimin e vet. Është një qytet që është kryesisht i mbuluar me beton, pa hapësira të mjaftueshme të gjelbërta, kryesisht i papastër dhe jo shumë miqësor për fëmijët. Prishtinës i duhet një ndryshim radikal në kahjen e zhvillimit. Unë dua të jem pjesë e këtij ndryshimi, ndaj në vjeshtë do të garoj për kryetare të Komunës në zgjedhjet lokale 2025”, shprehet ajo.
Në fund Shahini apeon për mbështetje të gjerë qytetare në misionin e saj.
“Ju ftoj të më bashkangjiteni të gjithë ju që i ndani shqetësimet e mia për qytetin dhe që keni sado pak energji që të përfshiheni në përpjekjen tonë të përbashkët për ndryshim’’, ka deklaruar ish-ministrja.
Shahini shërbeu si ministre dhe zëvendësministre në Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë në Republikën e Shqipërisë, nën qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, deri në vitin 2020, ku njoftoi vetë dhe largimin.
Komente
