Është cilësuar nga Rama në “Kurban” si ndër juristët më të mirë që ka Shqipëria dhe është pikërisht ai që garanton se listat e hapura, mundësuar nga dy ndërhyrje në Kushtetutë, nuk e cenojnë marrëveshjen e 5 qershorit, siç opozita pretendon.
Ky është ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë “Berisha 1”, Ilir Rusmali, një ndër ish-figurat qendrore të PD-së, por i tërhequr prej vitesh nga jeta aktive politike.
Është pikërisht ai, si dhe ish-zëvendësministri i drejtësisë Viktor Gumi, gjithashtu në qeverinë e Berishës, që janë thirrur si ekspertë në Këshillin Politik.
Kjo u bë me dije nga vetë Rama, në një prononcim të tij, ku shprehu keqardhjen nga refuzimi i opozitës për të qenë aty.
“Në mbledhje e përbashkët edhe me palën tjetër ka qenë adresimi nga ekspertët i çështjeve që u ngritën. Këtu ekspertët kanë dhënë përgjigje shteruese që asgjë nuk preket në përmbajtjen e marrëveshjes së 5 qershorit. Reflektimi është diçka tjetër në risitë kushtetuese.
Nëse kërkon plotësimin e një neni, nuk do të thotë ndryshim i 5 qershorit. Bëhet fjalë për ekspertë shumë të njohur dhe nuk vijnë nga PS, por kanë autoritetin dhe moralin për të na ndihmuar. Gumi, Rusmaili, e me radhë.
Janë personalitete në shumë procese të mëparshme. Prej kohësh i shërbejnë vendit. Në raport me trupën e ekspertëve jemi në konsensus dhe nuk është aspak e njëanshme. Të jenë shumë të qarta edhe për lidershipin e PD që po përsërit atë të mosqenies asnjëherë në vendin dhe në kohën e duhur”, tha Rama.
Kujtojmë që Rusmali është i vetmi politikan në Shqipëri, që ka vendosur një standard, kur një familjari i tij akuzohet për ndërhyrje, edhe pse akuzat ndaj tij ishin qesharake. /Tema