Afganistani po kalon një situatë të vështirë ku me mijëra afganë ia janë drejtuar aeroportit të Kabulit me shpresën se mund të evakuohen nga SHBA dhe vendet e NATO-s, ndërkohë që talebanët bllokojnë kalimin e tyre për të mos lejuar largimin. Për ish-oficerin e forcave speciale të FA, Denis Deliu, i cili ka shërbyer dy misione në Afganistan, marrja e pushtet nga talebanët pas 20 vitesh është e trishtë, pasi aty u derdh gjak dhe u hodhën shumë para që Afganistani të ishte një vend më i mirë larg grupeve terroriste. Në një intervistë për Report Tv, Deliu u shpreh se pritja e afganëve në vendin tonë është gjëja e duhur për të bërë për një popull në nevojë, pasi para disa vitesh ishin shqiptarët si afganët. Ai tha se refugjatët afganë nuk duhet të shihen si rrezik pasi shteti ynë i ka të gjitha kapacitetet për të mbikëqyrur dhe monitoruar çdo afgan dhe për të kuptuar nëse përbën apo jo rrezik.
"Është një gjë e mirë që t'i presim. Jam dakord të vinë pasi ne dikur ishim afganët. Ata sot janë vend në nevojë dhe janë njerëz që bashkëpunuan me ne për një botë më të mirë për një Afganistan më të mire. Nuk përbëjnë rrezik pasi shteti shqiptar i ka të gjitha kapacitete gjurmuese dhe shërbimet sekrete për të monitoruar dhe mbikëqyrur secilin prej tyre dhe kuptuar se cili është. Situata aktuale është e trisht pasi për 20 vite ne kontribuuam për atë vend dhe derdhëm gjak dhe situata përfundoi në mënyrë të tillë. Është për të ardhur keq, ne prisnim më shumë nga ushtria afgane pasi dhamë gjithçka për trajnimin e tyre", tha ai.
Si person që ka luftuar kundër talebanëve, ish oficeri Deliu tha se talebanët kanë evoluar shumë në teknikat e tyre gjithmonë të luftës, ku sot arrijnë të infiltrohen brenda policisë afganë, administratës dhe qeverisë për të marrë informacione dhe vepruar në momentin e duhur për ta. Ai tha se që para 20 viteve talebanët kanë kërcënuar bashkëpunëtorët e NATO-s e SHBA se kur të vijnë në pushtet do i vrasin ata dhe familjet e tyre dhe kjo sigurisht shpjegon dhe kaosin e madh në aeroportin e Kabulit për t'u larguar nga vendi.
"Ata kanë eksperiencë në luftë, pasi prej vitesh trajnohen nga grupe sekrete nga Rusia, Kina, Arabia Saudite e Pakistani. Mbetet një grup i rrezikshëm për shkak të taktikave që përdorin, kanë avoluar në teknikat e tyre. Në fillim përdorën pritat ndaj misioneve tona dhe kur panë që dolën të humbur nisën të përdornin minat. Më pas eksplozivet me telekomandë dhe sot kanë evoluar duke u infiltruar brenda policisë e qeverisë afgane. Bashkëpunëtorët tanë që para 20 vitesh kërcënoheshin nga talebanët se do të vriteshin bashkë me familjet e tyre sapo të vinin në pushtet.", tha Deliu
Ky infiltrim madje i mori jetën edhe komandos shqiptare Feti Vogli, ku një taleban ishte infiltruar si polic afgan dhe qëlloi pas shpine Feti Voglin duke e lënë të vdekur dhe plagosur Aleksandër Peci dhe komandon amerikane, në 2012.
"Na ndodhi një sulm i nga brenda, ku një taleban i infiltruar si policë Afganistan dhe na sulmoi pabesisht pas shpine. Ne ishim në përbërje të një batalion zbulimi të largët që ndodhen në një qytezë në kufi me Pakistanin. Trupi ynë po shoqëronte një delegacion të USAID drejt një shkolle të mbyllur. Po shkonim për të parë problematikën dhe për të hapur shkollën dhe kur sulmi na erdhi nga brenda ku talebani i infiltruar si polic afgan hapi zjarr me mitrolozë duke qëlluar me 100 fishek ndaj Feti Voglit, Aleksandër Pecit dhe komando amerikan. Nuk supozohet që armiku të ishte brenda nesh dhe shumica prej forcave të aleancës që ishin aty nuk e kuptuan as se kush po qëllonte", tha ai
Ish ushtaraku shprehet se në Afganistan a ka një mungesë të theksuar arsimi, ku nuk kishte shkolla dhe ato pak që kishte, ishin të mbyllura dhe për këtë forcat e aleancës kanë punuar vazhdimisht për të hapur shkolla dhe arsimuar afganët, në mënyrë që të qëndronin "mbi këmbët e tyre".