Ish-Presidenti amerikan, Joe Biden, ka nisur një fazë të re trajtimi për një formë agresive të kancerit në prostatë, të cilin e ka diagnostikuar muajin e kaluar.
Lajmi është bërë i ditur nga një zëdhënës i tij, i cili njoftoi se "në kuadër të trajtimit për kancerin në prostatë, presidenti Biden aktualisht po merr trajtim me radioterapi dhe gjithashtu një terapi hormonale."
Seancat e radioterapisë do të zgjasin pesë javë, tha më tej zëdhënësi i tij, duke shpjeguar se ky është një trajtim i ri që shtohet ndaj terapisë hormonale që Biden e ka ndjekur tashmë prej kohësh.
Në maj të këtij viti, u njoftua se ish-Presidenti 83-vjeçar, ishte diagnostikuar me një formë agresive të kancerit në prostatë, që kishte bërë metastaza në kocka, dhe se ai po ndiqte mundësi të ndryshme trajtimi.
Shtatorin e kaluar, Biden i ishte nënshtruar gjithashtu një operacioni për të hequr qelizat kancerogjene nga lëkura. Sipas stafit të tij, ish-presidenti "po ndihet mirë" dhe vazhdon të ndjekë rekomandimet e mjekëve.
Komente
