Ish-presidenti promovon librin 'Betejat e humbura të Tiranës'! Bamir Topi flet edhe për PD: Basha administron pronën politike të Berishës

17 Mars 2022, 21:21| Përditesimi: 18 Mars 2022, 10:03

  • Share

TIRANË-  U promovua këtë të enjte në Tiranë libri “Betejat e humbura të Tiranës” i shkruar nga ish-presidenti Bamir Topi, i projektuar përmes kujtimeve si një studim i ndryshimeve sociopolitike dhe zhvillimit urban të kryeqytetit.

Presidenti Bamir Topi me origjinë prej një familjeve më të vjetra të Tiranës kujton, studion dhe vëzhgon përmes këtij libri rrënjët e qytetarisë së vërtetë, e cila është mbuluar përgjatë historisë së saj me llumin e liderëve që udhëheqin për të sunduar
Për Topin, shpirti dhe vizioni demokratik i qytetarëve të Tiranës është nëpërkëmbur nga gjykimet dhe  interesat personale.

Ai thotë se në këtë vepër ka përfshirë të vërtetat nga këndvështrimi i tij si ish kreu i shtetit.

“Në vitin 1990 kur të gjithë prisnin me padurim rikthimin e plaçkës së vjedhur, për pronën, ajo pronë pastaj u rivodh në mënyrën më të sofistikuar. Pikërisht këtu, jam i detyruar të flasë për një gjë që ka ndodhur këtu. Megjithatë dua ta dëshiroj që ta lë këtë pjesë në kuriozitetin e lexuesit. Kam folur me emra dhe mbiemra. Kam folur për të vërtetën. Kjo histori ngjan si historia e një operatori që merr aparatin dhe filmon. Unë them të vërtetat e mia në këtë libër. Gjëja e parë që kam lexuar, kur të thuash të vërtetat përgatitu mirë. Sepse, gënjeshtarët do të përgatiten mirë për të kundërshtuar. Këtë e kam pasur mirë, çdo ditë që kam shkruar.

Një libër i shkruar me sinqeritet ku shpreh gjykimin e tij për Ahmet Zogun, Enver Hoxhën, Sali Berishën, Edi Ramën dhe Lulzim Bashën. Ai komenton edhe marrëdhënien e Bashës me Berishën.

"Luli, gjithmonë ka qenë besnik pa ekuivok dhe i devotshëm i shefit të tij, dhe e ka kundërshtuar iluzionin e mjaft politikanëve apo analistëve për ndonjë gjest që do ta mërziste Berishën. Madje bindja ime ka qenë dhe mbetet se edhe sikur Berisha t'i japë "lirinë, Luli nuk do të "fluturonte".(...)

"(...)Pa mburojën e shefit, atë do ta "copëtonin" politikisht. Në fakt te Lulzim Basha nuk "frynte" asnjë fllad lirie, apo ndryshimi. Ai e paraqiste situatën të reformuar, por nuk demonstronte substancë, por vetëm sipërfaqe, e duke ëndërruar të bëhej Kryeministër vetëm për shkak të pakënaqësive popullore"(...).

"(...)Lulzim Basha nuk ishte Kryetari real, por thjesht administratori në “pronën politike” të Sali Berishës. Qysh nga formimi i "Frymës së Re Demokratike" në vitin 2012 herë -here jam pyetur për mundësinë e një koalicioni me Partinë Demokratike dhe përgjigja ime ka qenë konstante, që sa kohë aty do të jetë Sali Berisha, unë nuk do të jem aty", shkruan mes rreshtave Topi.

Për librin, folën edhe historiani Neritan Ceka, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, historiani Beqir Meta, të cilët e spikatën si një libër edhe me vlera historike.

"Libri i Bamir Topit është  një histori e përpjekjes për të kthyer Tiranën në një hierarki vlerash pëmes betejave të humbura si pikënisje për t'i futuar ato si vlera jo vetëm të qytetarëve të Tiranës por të gjithë shqiptarëve të mençur, e dinjitozë kudo që ndodhen", tha Ceka.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?