Nisja me shtyrje e procesit më të rëndësishëm ndër vite në Shqipëri, dosjes së aferës “Partizani”, mund të jetë një strategji nga ana e mbrojtjes së Sali Berishës, por ky gjyq do të shkojë gjatë.
Kështu u shpreh sot në “Studio Live” për moderatorin Arbër Hitaj, ish-prokurori Ervin Karanxha. Ish-prokurori ndau mendime dhe argumente me zhvillimet më të fundit në fushën e drejtësisë në vend, duke folur edhe për dosjen e Ilir Metës, ku SPAK-ut i del detyrë të provojë nëse ish-presidenti e ka përdorur kartën bankare, dhe kjo bëhet nëpërmjet verifikimit të gjurmëve elektronike që janë lënë gjatë blerjeve të ndryshme ndër vite.
Karanxha komentoi edhe deklaratat e kreut të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi për gjyqtarët, presionet ndaj të cilave gjenden magjistratët, problematikën e rrjedhjes dhe publikimit në media të dosjeve hetimore e të dhënave sensitive, si në rastin e kryebashkiakut Erion Veliaj, që i cilësoi të gabuara, por edhe propozimin që reforma në drejtësi të rishikohej, pasi ka shfaqur problematika në disa kolona.
Gjithashtu qytetarët nuk kanë më akses te drejtësia, paraburgimet janë plot, nuk zbatohen dënimet alternative, stoku i dosjeve është rritur, numri i magjistratëve ka rënë dhe paraburgimet janë të zgjatura dhe pa mbështetje të fortë ligjore, si rasti i Thoma Gëllçit dhe vendimi i Strasburgut për të.
“Për dosjen ndaj Ilir Metës jemi në fazën e hetimit paraprak, hetimet ende nuk kanë përfunduar. Nga sa dëgjova pretendimet e Ilir Metës, ai thotë se nuk ka qenë në dijeni të kartës së përdorur dhe nuk e ka përdorur atë. Karta e kreditit ka të ardhura nëpërmjet të cilës mund të bësh pagesa dhe ajo lë gjurmë, sidomos me fiskalizimin që është bërë në shumë vende të botës. Gjatë hetimit, SPAK do ketë për detyrë të rrëzojë pretendimin e Metës, që thotë se unë s’e kam përdorur këtë kartë, por është përdorur nga ish-gruaja. Tani jemi në momentin që karta është përdorur, por duhet provuar se kush e ka përdorur atë kartë. Pagesa elektronike bëhet nga një person dhe jo 5 persona, sidomos në një familje, por duhet parë veprimi i kryer në vendin ku është bërë pagesa, se nga cili është bërë. Sot ka botë elektronike ku çdo gjë dokumentohet dhe evidentohet. Pra do jetë hetimi që do përcaktojë nëse kjo kartë është përdorur nga zoti Meta dhe duhet të jetë SPAK që të provojë nëse zoti Meta ka pasur dijeni për atë kartë apo ka përfituar”, shpjegoi mes të tjerash ish-prokurori për Report Tv.
Ish-prokurori dha një mendim juridik edhe për dosjen e aferës “Partizani”, ku i pandehur në gjyqin që sapo ka nisur është kreu i PD, Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë. Nisja me shtyrje e procesit, për Karanxhën mund të jetë edhe një strategji e palës mbrojtëse, por sipas tij ky gjyq do të shkojë gjatë, edhe për shkak të natyrës që ka dosja dhe procedura.
“Mund të jetë edhe strategji nga Berisha. Kur dërgohet shkresa duhet edhe nënshkrimi i marrësit. Në rastin konkret rezulton se Berisha nuk ka pasur dijeni. Për gjyqin e Berishës mendoj se do të jetë një proces i gjatë, sepse jemi në një gjyq të zakonshëm, ka dhe dëshmitarë, nuk është gjyq me marrëveshje apo procedurë të shkurtuar, ai kërkon kohë, edhe për shkak të ngarkesës që kanë SPAK e GJKKO. Ky është mendimi im, do kemi gjyq të gjatë”, tha ai.
Në lidhje me deklaratën e bërë nga kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, që tha se gjyqtarët duhet të jenë të guximshëm në vendimet e tyre, ish-prokurori ndau të njëjtin mendim, duke u shprehur se kjo bëhet edhe për t’u dhënë zemër gjyqtarëve përballë presioneve të ndryshme që kanë, si nga politika, ashtu edhe nga krimi apo individët.
“Gjyqtarët duhet të jenë të guximshëm, nuk duhet të kenë frikë kur shikojnë një dosje pa prova nga prokuroria dhe ku personi është i pafajshëm, që të vendosin pafajësinë e tij. Në këtë kuadër mendoj se u bë edhe deklarata e kreut të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Por kërkohet një standard më tej, gjyqtarët të jenë të paanshëm, të jenë të bindur në zbatimin e ligjit dhe ku dosjet duhet të kenë prova të qarta. Por ka dhe presione ndaj drejtësisë, presione ka nga politika, nga grupet kriminale, por edhe nga individë të caktuar, ndaj edhe deklarata e Sadushit u bë për t’i mbështetur gjyqtarët për të marrë vendimet e duhura. Nëse gjyqtari është i bindur duhet të shprehet, edhe kur prokuroria nuk ka prova, t’ia thotë. Ndaj edhe kryetari i GJL i jep zemër gjyqtarëve që të marrin vendimet e duhura”, nënvizoi ai.
Publikimi i dosjeve hetimore në media ishte një tjetër temë e trajtuar, ku Karanxha u shpreh kundër publikimit të informacioneve sensitive si në rastin e kryebashkiakut Erion Veliaj, për blerjet e kryera nga bashkëshortja e tij, por edhe shumë çështje të tjera, ku një pjesë e informacioneve jo vetëm janë personale, por edhe pa interes publik.
“Gjyqësori dhe organet e hetimit penal duhet të marrin masat që këto dosje të mos publikohen, pasi shumë prej tyre dalin në media, shpesh edhe të dhënat personale. Kemi rastin e Veliajt për shembull, ku dolën në media edhe të dhëna për blerje të sendeve për femra. Këto nuk kanë interes për publikun, ndaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këto raste. Nuk duhet të publikohen. Nuk duhet të dalin në media të dhëna kaq sensitive, sepse nuk kanë as interes për publikun”, argumentoi Karanxha.
Mbushja e qelive me të paraburgosur dhe mungesa e dënimeve alternative apo mbajtja në izolim me kohë të gjatë e personave të dyshuar, janë kthyer në një problematikë për drejtësinë e re, si dhe çështje e kritikuar nga faktori ndërkombëtar së fundmi, sikurse edhe vendime nga Gjykata e Strasburgut në rastin e Thoma Gëllçit, ish-kreut të RTSH-së.
“Gjykatat duhet të shohin edhe dënimet alternative dhe jo vetëm ato me burg apo pafajësi. Për veprat penale të lehta dënihet mund të jenë të lehta, të merren masa që të respektohen edhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut për afatet e paraburgimit, si rasti i Thoma Gëllçit dhe të tjera. Sepse në disa raste qëllimi është jo vetëm dënimi, por edhe rehabilitimi i personit. Sot në Shqipëri ka më shumë të paraburgosur. Duhet të ndryshohet mentaliteti edhe për masat e sigurimit, sepse Shqipëria po merr kritika edhe nga faktori ndërkombëtar. Në Europë është ndryshe, kurse këtu vazhdon me mendësi të vjetër”, tha ish-prokurori për ‘Studio Live’.
Edhe zvarritja e proceseve gjyqësore, stoku i dosjeve penale apo civile, mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve, janë kthyer në problematika serioze për ish-prokurorin, i cili sugjeroi rishikimin e reformës në drejtësi.
Sipas tij, edhe shkrirja e shumë prokurorive e gjykatave në rrethe ishte e gabuar, pasi qytetarët nuk kanë akses te drejtësia, kurse ka raste që prokurorët kanë edhe nga 2 mijë dosje për hetim.
“Sot kemi gjyqe që nuk mbarojnë në kohë. Gjyqtarët punojnë në kushte shumë të vështira. Si gjykatat e rretheve, por edhe në Prokuroritë. Ka raste kur një prokuror ka në dorë deri në 2 mijë dosje. Por kemi 150 mijë dosje në pritje, kërkon punë intelektuale dhe njohje të mirë të ligjit. Ke shumë njerëz të hequr kot, ndërkohë që në krahun tjetër i ke dosjet me metër kub. Ka edhe të larguar sipas ligjit, por shumë të tjerë janë hequr kot. Një gjyq ka zgjatur deri në 20 vite. Këto duhet të shohi reforma. Shumë kollona kanë rënë, aksesi në drejtësi ka humbur, shumë gjykata janë shkrirë në rrethe. OSBE bëri një seminar në Pogradec ku diskutohej për aksesin në drejtësi, ndërkohë që Gjykata e Pogradecit ka shkuar në Korçë dhe ky është paradoks. Mendoj se duhet të rishikohet reforma në drejtësi, ka disa kollona që kanë rënë. Disa gjykata janë shkrirë në mënyrë të padrejtë", vijoi ai.
Në fund, e mbylli duke dhënë edhe një mendim për garën që po bëhet për kreun e BKH-së, duke i sugjeruar SPAK-ut një alternativë konkurrimi, që disa prej fazave të testimit të ishin transparente për publikun, si ajo fizike.
“Për sa i përket konkursit për kreun e BKH-së ka disa faza dhe kritere, në përzgjedhje dhe verifikim, mes tyre edhe testi fizik dhe ai i poligrafit. Por unë do i sugjeroja SPAK që ky konkurs të bëhej në mënyrë të hapur, ku të shiheshin kandidatët pse jo edhe duke vrapuar, pasi nuk është sekret, përveç testit të poligrafit që ka tjetër procedurë”, u shpreh Karanxha.
Komente
