Ish-pronarët: Mbyllja e vlerësimit të dosjeve nuk dha zgjidhje për pronat

3 Mars 2019, 07:31| Përditesimi: 3 Mars 2019, 09:09

  • Share

Me anë të një letre publike, shoqata e ish-pronarëve “Pronësi me Drejtësi” ka deklaruar se mbyllja e afatit trevjeçar të shqyrtimit të dosjeve të ish-pronarëve dhe vlerësimit financiar të tyre, sipas ligjit të ri të miratuar në vitin 2015, nuk ka zgjidhur problemin e të drejtave të pronësisë në Shqipëri. Për këtë, ata shpresat e fundit i kanë tek Gjykata Kushtetuese, e cila ende nuk funksionon, si dhe tek Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Procesi

Agjencia e Trajtimit të Pronave njoftoi në fund të muajit shkurt se nuk do të shqyrtojë më asnjë kërkesë të patrajtuar më parë lidhur me kthimin apo kompensimin e pronave, njëkohësisht duke mbyllur edhe procesin e vlerësimit financiar të pretendimeve të ish-pronarëve. Në fakt, këto dy procese kishin një afat kohor, sipas ligjit më të fundit që synon t’i japë zgjidhje përfundimtare problemit të pronësisë në Shqipëri, një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin normal të ekonomisë së vendit, njëkohësisht krijues në vite i përplasjeve të karakterit social, madhe gjenerues i akteve kriminale të të gjitha llojeve. Sipas ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, për të dy këto procese është dhënë një periudhë trevjeçare në dispozicion, që fillon 15 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare të këtij ligji. Duke qenë se publikimi është bërë më 8 shkurt 2016 dhe ligji ka hyrë në fuqi më datë 23 shkurt të po atij viti, tanimë ka përfunduar afati ligjor si për shqyrtimin e kërkesave të ish-pronarëve lidhur me kompensimin, ashtu edhe ai për vlerësimin financiar të vendimeve për kompensim.

Pra, më datë 24 shkurt 2019, ka përfunduar edhe afati ligjor 3-vjeçar, që Qeveria Shqiptare dhe Agjencia e Trajtimit të Pronës (ATP) kishin për trajtimin e afro 16.000 dosjeve të patrajtuara. Ishin 10.000 dosje që nga pronarët, konform kërkesave të ligjit, ishin depozituar pranë zyrave shtetërore të Agjencisë së Pronave qysh nga viti i largët 2008. Në këto dosje pronarët kishin kërkuar për Kthim ose Kompensim rreth 4.200 ha tokë truall dhe 144.000 ha tokë bujqësore etj. Këtyre 10.000 dosjeve të vjetra në vitin 2015 iu shtuan edhe 6.000 dosje të tjera, thuhet në letër.

Po në këtë letër shtohet se, nga viti 2015 deri në 23 shkurt 2019, agjencia ka dhënë vendime, siç thuhet, për afro 9.600 dosje. Dhe për të 9.600 vendimet e dhëna agjencia nuk ka dhënë as edhe një të vetëm pozitiv për pronarët. Të gjitha pa përjashtim ishin negative dhe pronarëve ju është rrëzuar kërkesa. Pronarët do të duhej që të ankimonin në gjykatat e apelit vendimet e agjencisë, që e drejta e pronës së tyre të mos shuhej. Sot, për afro 6.800 dosjet e tjera të patrajtuara, pronarët, po deshën përsëri pronën e tyre, duhet t’u drejtohen gjykatave dhe të futen në kalvarin 2-3 vjeçar të gjykimit deri në Apel.

Historiku

Ish-pronarët ankohen se për 45 vjet të afërmit e tyre u shpallën armiq të partisë dhe popullit; ata u vranë dhe u burgosën, pronat e tyre u konfiskuan e u sekuestruan. Sot, pas afro tri dekadave “Demokraci”, pronarët kanë përfunduar sërish në “armiq të shtetit shqiptar” dhe financave të brishta shqiptare. “Përfundimisht, sot pronarët dhe e drejta e tyre e pronës, sa i takon Kthimit dhe Kompensimit të pronave, janë anti-kushtetues. Më datë 23 shkurt përfundoi afati 3-vjeçar që ligji anti-pronë 133/15 i kishte caktuar Qeverisë Shqiptare dhe ATP-së që të bënte vlerësimin financiar të detyrimit që shteti kishte për kompensimin e 24 mijë vendimeve të harkut të viteve 1993–2014. Për 3 vjet me rradhë, ATP-ja e vlerësoi detyrimin e shtetit në afro 600 milionë euro, nga 4.9 miliardë euro që me çmimet e vitit 2015 vlerësohen ato. Duke filluar nga data 24 shkurt 2019, ATP, falë ligjit “kushtetues të Gjykatës anti-kushtetuese numër 133/15”, do të zëvendësojë njoftimin e deritanishëm në gazetë dhe faqe elektronike,  me njoftimin individual për vendimarrjen e çdo pronari në shtëpi, pa e bërë publik si deri më sot. Me këto vendime individuale si mandate vdekje, falë VKM 766 të vitit 2017, vlerësimi poshtërues prej afro 600 milionë euro do të ulet deri 2-3 herë. Dhe si të mos mjaftojë kjo, 80% e shumës do të jetë kompensim fizik. Tokat që janë caktuar me VKM për kompensim fizik të pronarëve janë 23 mijë parcela, me sipërfaqe të përgjithshme 23 mijë ha tokë. Janë toka skërka të vendeve të humbura, që ekzistojnë vetëm në letër dhe jo fizikisht. Dhe vetëm pasi të jetë ndarë kjo sipërfaqe toke fantazëm nëpërmjet ankandit, do të fillojë kompensimi financiar ne vitet e mbetura nga 10-vjeçari i tretë ligjor i kompensimit”.

Pra, thekson Shoqata, ky kompensim financiar pritet të fillojë të aplikohet nga viti 2023 dhe ai jo më shumë se 10 milionë për çdo grup pronash të pronarëve. Nga viti 2015, ligji parashikon kompensim financiar me procedura të përshpejtuara, në vetëm 20-40% të vlerës së përgjithshme që del për çdo pronar, për 1-5 vjet, me kusht që me deklaratë noteriale të deklarosh se pjesën tjetër do ia falësh shtetit.

Zgjidhja

“Kështu shpërblehet pritja paqësore e pronarëve shqiptarë dhe besimi i tyre te Shteti dhe Ligji në këto 30 vite që ka drejtuar anti shteti dhe anti ligji sa i takon të drejtës së pronës?” pyesin ish-pronarët. “Deri këtu ka arritur poshtërimi me ligj i pronarëve shqiptarë. Ky poshtërim është publik; ka tre vite që faqet e shtypit mbushin me lista të pafundme pronarësh, që nuk marrin para, por blejnë gazetat.

Sipas tyre, sot për pronarët shqiptarë e vetmja rrugëzgjidhje mbetet Gjyqësori dhe Strasburgu. Nga Strasburgu, Gjykata Evropiane për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, do të vijë zgjidhja e problemit tonë të pronave. Janë 89 çështje pronash në Strasburg; në mars të këtij viti bëhen plot tre vjet që presin vetëm të shpallet vendimi. Sipas vendimmarrjeve të mëparëshme të kësaj gjykate, pritet të rrëzojnë nenin 6/1 të ligjit 133/15 dhe si të tillë dhe vetë ligjin dhe vendimmarrjen e derisotme të ATP-së. Shpallja e këtij vendimi do të rrëzojë Ligjin dhe Qeverinë për faturën financiare që do të ketë. Zgjidhjen e drejtë të çështjes së pronave ne sot nuk e presim nga vullnetet partiake, pasi kanë qenë ato vullnete për pushtet që në këto 30 vjet kanë sjellë këtë gjendje ku jemi sot, sa i takon çështjes së pronës.

Në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë, janë katër çështje të Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” që presin të shqyrtohen dhe që kanë të bëjnë me antikushtetueshmërinë e ligjit 133/15. Presim edhe një vendim të vetëm të Gjykatës së Strasburgut që ligji 133/15 të rrëzohet.

Së fundiPor edhe në procest e ardhshme konstatohet një anomali: ATP u tha pronarëqve të vijnë e të marrin dosjet që kanë depozituar. Në Gjykata, pronarët do të jenë paditës, po kush do të jetë i padituri: ATP-ja, Qeveria qendrore, apo pushteti vendor? “ATP a mban përgjegjësi për dëmin moral dhe material që u ka shkaktuar pronarëve me mosshqyrtimin e 6.800 dosjeve të patrajtuara për një periudhë 10-vjeçare?” përfundon letra e hapur.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?