TIRANE- Ka shkuar në kuvend pr/ligji që mundëson trajtimin financiar të punonjësve dhe ish-punonjësve të Kombinatit Mekanik të Poliçan.
Projektligji saktëson kushtet dhe procedurën që do të ndiqet për trajtimin financiar dhe pagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore të punonjësve dhe ish-punonjësit e Kombinatit Mekanik Poliçan.
Përfitues do të jenë 127 punonjës të palikuiduar për periudhën shkurt 2017 deri më 31 dhjetor 2020. Po ashtu do të përballohen efektet financiare për 4 punonjës aktualë, për vitet 2021- 2023
“Gjobat dhe kamatëvonesat e krijuara në sistemin e DPT-së për Kombinatin Mekanik Poliçan do të merren parasysh për likuidim në vijim nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, në shpenzimet operative në programin buxhetor “Mbështetja e luftimit”, njësia shpenzuese “Komanda mbështetëse”, thuhet në relacionin shoqërues të pr/ligjit.
Efektet financiare, për detyrimet për paga dhe deklarimin e kontributeve në sistemin e-filling, janë në masën 58 500 000 lekë për pagat dhe 25 300 000 lekë për sigurime shoqërore, shëndetësore, në vlerën totale 83 800 000 lekë, të cilat do të përballohen nga fondi i alokuar për Ministrinë e Mbrojtjes, në shpenzimet korrente në programin buxhetor “Mbështetja e luftimit”, njësia shpenzuese “Komanda mbështetëse”, brenda vitit 2024’ thuhet në pr/ligj
Dokumentacioni pas miratimit të këtij ligji do të dërgohet në degën e thesarit dhe do të përmbajë të dhënat, si më poshtë: Të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS, ku janë të punësuar; Të dhënat identifikuese të përfituesit, si: Emri e mbiemri i përfituesit; Numri personal i identifikimit të përfituesit; Numri i llogarisë rrjedhëse të përfituesit dhe emri i bankës përkatëse; Urdhërpagesa 1900 (deklarata e gjeneruar nga sistemi efiling.tatime.gov.al)
Efektet e pr/ligjit, që pritet të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar shtrihen brenda vitit 2024
Në vijim Ministria e Mbrojtjes do të ketë një qasje më të qartë për ndërmarrjet ushtarake, falë studimit të fizibilitetit që do të realizohet në bashkëpunim me NSPA (NATO Support and Procurement Agency), thuhet në relacion.
Projektligji u miratua javën e kaluar nga qeveria, me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes.
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë) Relacioni
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë) Projektligji