Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve

Kronikë

Ishte arrestuar pasi tentoi të vriste inspektorin e IMT, gjendet i vetëvarur 57-vjeçari në burgun e Fushë-Krujës

19 Maj, 12:31| Përditesimi: 19 Maj, 12:37

  • Share

Një i paraburgosur i ka dhënë fund jetës në burgun e Fushë-Krujës. Viktima është 57-vjeçari Qani Muça, i arrestuar për “vrasje e funksionarëve publikë” e mbetur në tentativë dhe “mbajtje pa leje e armëve”. Ai u gjet i vetëvarur në tualetin e dhomës ku qëndronte në pjesën e grilës së ajrimit.

Drejtoria e burgjeve njofton se në orët e para të mëngjesit së të hënës, ai është vënë re nga një prej të paraburgosurve. Kur ka hapur derën e ka parë të varur në grilën e dritares.

Në vitin 2022, gjykata e Tiranës caktoi ndaj tij masën arrest në burg për tentativën e vrasjes së inspektorit të IMT, Ilirjan Gavelli. Disa minuta pasi i prishën banesën në zonën “Ali Demi”, Muça ka nxjerrë pistoletën që mbante në brez dhe e ka qëlluar në bark inspektorin e IMT.

 

"Sot, më datë 19 maj 2025, rreth orës 03:34, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fushë-Krujë, i paraburgosuri Qani Hamit Muça është gjetur i vetëvarur në tualetin e dhomës ku qëndronte, në pjesën e grilës së ajrimit. Ngjarja ka ndodhur në sektorin 2, kati i dytë, godina B, ku i ndjeri qëndronte së bashku me pesë të paraburgosur të tjerë.

Sipas informacionit paraprak, rreth orës 03:34 është vënë re nga një prej të paraburgosurve që Muça po vonohej më shumë sesa zakonisht. Ky i fundit ka hapur derën dhe ka konstatuar Qani Muçën të vetëvarur në grilën e dritares. Menjëherë është njoftuar shërbimi i sigurisë, ndihmës-mjeku i institucionit, si dhe janë njoftuar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë dhe Shërbimi për Kontrollin e Brendshëm në Burgje (SHKBB).

Grupet hetimore kanë mbërritur në ambientet e institucionit rreth orës 04:00 dhe kanë nisur procedurat për dokumentimin dhe hetimin e ngjarjes.

I ndjeri, Qani Hamit Muça, i datëlindjes 02.07.1967, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, ishte i divorcuar, me arsim të mesëm dhe i padënuar më parë. Ai ishte arrestuar më datë 12.08.2024 për veprat penale: “Vrasje e funksionarëve publikë”, e mbetur në tentativë; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” (nenet 79/a–22 dhe 278/1 të Kodit Penal). Në IEVP Fushë-Krujë ishte transferuar më datë 28.09.2024 nga IEVP “Jordan Misja”.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i shpreh ngushëllimet familjes!", thuhet në njoftim. 

 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?