'Ishte heroina jonë dhe 'rojtjarja' besnike e vilës', historia e rrallë e Annamarias, muzës që frymëzoi veprat e Sali Shijakut, i biri: Si e ndanë për së gjalli nga i ati!

4 Mars 2022, 21:18| Përditesimi: 4 Mars 2022, 21:31

  • Share

Në pragun e vilës tre shekullore “Sali Shijaku”, prej një viti nuk ndihen më hapat e saj…  Artisti, vuan humbjen fizike të muzës së tij. E netët për të zgjaten duke i’a rindërtuar portretin e ëmbël, përmes penelit.  E ka gdhirë edhe këtë natë, në katin e dytë të banesës monument, që në çdo cep e ruan të gjallë kujtimin e bashkëshortes së dashur, Annamarias. Jo rastësisht, me bojëra hedh në telajo, legjendën shqiptare, ku dy botët takohen…

“Babai është duke ripunuar ‘Kostandinin dhe Doruntinën’, veprën që përmban botën e përtejme dhe botën reale. Është imazhi që së pari e punoi në një pjatë, që sot ruhet në Galerinë e Arteve. Humbja e nënës, ka qenë e vështirë për të gjithë ne. Është figura kryesore në familje, por e tillë ka qenë edhe për vet artistin. Shprehja se pas një burri të madh qëndron një grua e madhe në këtë rast zë shumë vend. Pranë babait tim, Sali Shijakut, ka qëndruar jo thjesht një grua e madhe, por një heroinë”.

Siç rrëfen i biri Orgesi, në prag të 90-tave, artisti Sali Shijaku herë pas here çapitet e viziton dhomën e Annamarias së tij. Zhytet në kujtimet që ngacmohen nga ajo pëlhurë me fije ari e fustanit të nusërisë. E shikon drejt e në sy në portretet ku e përjetësoi. Sa nur i jep muza e tij, “Zadrimores” e atyre veprave të guximshme që i fshehu për t’i mbrojtur nga sistemi komunist. Në sëndukë fshihet ajo që aparati mundi të fiksojë nga dashuria e tyre e pakohë, ndërsa punimet e saj në filigran e argjend e lidhin bashkëshorten  e piktorit me punën e saj në ndërmarrjen artistike “Migjeni”, që u kthye në pasion për artizanalen. Annamaria ishte bashkudhëtarja e Sali Shijakut. Muza e përhershme që frymëzoi veprën e artistit, në pikturë e skulpturë. Por, përtej këtij portreti sa të hijshëm e fisnik, fshihet një histori plot vuajtje…

“Nëna ime lindi në vitin 1949. Babai i saj Gaetano, ishte një nga arkitektët që kishin ardhur nga Italia për ta ndërtuar Shqipërinë, rrugët, urat, lulishtet parqet, institucionet që ne i gëzojmë sot”. 

Gaetano Schifa zbarkoi në Durrës në 11 tetor të vitit 1939. Arkitekt në profesion, flitet të ketë qenë në radhët e batalionit të Antonio Gramshit, që i’u bashkua Luftës Nacional Çlirimtare. Ndonëse në krah të partizanëve, e siç rrëfen i nipi me dëshirën për të ushtruar  profesionin në Shqipëri, pas çlirimit të vendit, ai burgoset dhe çohet në repartin 313, në Tiranë.

“Pas Luftës së Dytë në vitin 1944 Shqipëria dhe regjimi komunist, italianët që ishin në vend i mbajti si peng lufte, për të vazhduar punimet. E burgosën për krimet që kishin kryer italianët, ndonëse ai nuk kishte asnjë lidhje me to. Ai ishte arkitekt, inxhinier e kishte ardhur për të ndërtuar”.

Periudha e burgut ishte afatshkurtër, pasi hetimet e komunisteve nuk nxorën asnjë fakt që ta implikonte. E pas një sërë peripecish, komunistët duket se u bindën për pafajësinë e tij, dhe e integruan sërish në ndërtimin e vendit. Shqipëria, ndonëse me plagët e luftës, po i hynte në zemër, pasi aty do të njihte dashurinë e madhe të jetës së tij.

“Pak kohë pas qëndrimit në Shqipëri, ai u njoh me gjyshen time, Veroren. U martuan dhe ndërtuan jetën e tyre familjare, nga lindën dy fëmijë: Carmelino dhe ime më Annamaria”

Gaetano u martua kështu me vajzën përmetare, e jetonin në Vilën Shijaku. 10 vite pas zbarkimit në Shqipëri, i forcuar për t’u larguar, do të drejtohej sërish Portit të Durrësit. Kësaj here bashkë me familjen. Pavarësisht se e perceptonte situatën e tensionuar brenda tij vlonte dëshira se do të mund të vijonin një jetë të re në Itali. Në atë kohë Anamaria ishte vetëm pak muajshe… Kështu  ndërsa Verorja e Gaetano, me fëmijët në krahë, prisnin të kapërcenin detin, fati i tyre do të merrte një tjetër rrjedhë…

“Shkuan në port bashkë. Në momentin që do të niseshin i ndanë. Gjyshes  Verores, i thanë se ishte shqiptare dhe nuk mund të largohej. Ndërsa fëmijët ja mbajtën për rritjen e popullsisë”

Në këtë pikë arkitektit nuk i lihej zgjidhje, duhet të largohej. Anamaria mbetet kështu në breg të detit, me dy vogëlushët, që shikonin se si anija zhdukej dalëngadalë në horizont. Ajo që do të pasonte, do të ishte për ta një epokë vuajtjesh e malli. Shqipëria po i nënshtrohej izolimit dita-ditës, e komunistët pengonin edhe komunikimin mes bashkëshortëve.

“Sikur kjo mos të mjaftonte Shqipëria u mbyll. Dhe forcat komuniste nuk flinin gjumë... Letrat që gjyshi Gaetano niste për familjen, rrallë mbërrinin. Ato që ime më mundi të merrte ia çonin dorazi. Kështu ajo ka mundur të komunikojë edhe me disa të afërm të saj.”

Anamarias ju desh kështu të rritej pa praninë e figurës atërore. I’u desh të rritej para kohe për të ndihmuar nënën e të vëllanë Carmelinon.

“Ka thënë se ishte shumë e vështirë, dhe mungesën e të atit e përjetonte shumë. Pikërisht për këtë arsye ajo u angazhua në jetimore fillimisht. Nisi të kujdesej për fëmijët jetim në Strehën Vorfnore e më pas në Befotrof. Thoshte se: Unë jam një peng, e burgosur lufte!”

Duke jetuar në të njëjtën vilë, takimi me djaloshin Shijaku që kthehej nga studimet ishte i pashmangshëm. Annamaria ishte vetëm 17 vjeç. E hijshme me sytë e kaltër, ajo ruante një sjellje fisnike që vështirësitë ekonomike nuk ia kishin cenuar. Kështu artisti që në shikimet e para nis të shikojë në të muzën e tij.

“Në vitin 1960 babai u kthye nga Bashkimi Sovjetik ku studionte. Gjyshja ime Verorja me dy fëmijët ishin qiraxhinj tek familja e madhe Shijaku. Dhe më herët, me Gaetanon ishin vendosur aty. Familja Shijaku ishte mirë ekonomikisht dhe kishin dashur t’u vinin në ndihmë”

Shkëndijat e para kishin nisur, çdo ditë që kalonte artisti bindej se Annamaria ishte fati i tij. E për të afërmit e vajzës që ishin skeptikë, piktori diti t’i bëjë për vete. Dashuria e tyre do të kurorëzohej në martesë. Familja patriotike Shijaku, me dy heronj të rënë në luftë do të mundohej t’i jepte Anamarias, ngrohtësinë e munguar familjare. Ata e njihnin brengën e saj,  për të atin që s’kish mundur ta shikonte kurrë...

 E ëma e Saliut, do t’ia thurte me duart e saj vellon e nusërisë, e në shenjë mirënjohje, nusja do ta ruante gjithë jetën… Edhe pas saj, pëlhura qëndron mbi sënduk si për t’u  treguar 3 fëmijëve të saj e vizitorëve se njeriu në jetë duhet të kapet pas ndjesive e kohërave të bukura.

“Dasma e tyre ka koiçiduar ditë me shi. Në fotot që kemi duken pak njerëz të afërm, krahas motrave të babait, që ishte djalë i vetëm. Mamaja mbante vellon e punuar nga gjyshja, e cila vinte po ashtu nga bejlerët e Tiranës dhe merrej me qëndistari”

Pas martese Anamaria do të kujdesej për çdo detaj, që piktori të kishte habitatin e duhur për të krijuar. Dy djemtë dhe vajza e forcuan edhe më shumë dashurinë e tyre. Orgesi kujton durimin e pashoq të nënës ndërsa sistemonte nëpër shtëpi kurthet e bojërave, që nisën të krijoheshin edhe nga ai e vëllai, pasi që në vegjëli shfaqën pasionin për pikturën. Kështu Anamaria i bënte gati piktorit këndin e tij, bojërat, penelat, telajon… Por kryesorja, ajo që i jepte jetë çdo vepre të Sali Shijakut ishte prezenca e saj. Një sy i mprehtë e dallon, se në 99 veprat e artit të Shijakut që ruhen në Galerinë Kombëtare e në punimet e ekspozuara në vilë, imazhi femëror, është i njëjti: Bashkëshortja e piktorit! Por, Anamaria ka qenë më shumë se kaq. Për Saliun ajo ka qenë vetë shtëpia, ka qenë shtylla kryesore që ka mbajtur familjen, veçanërisht në momente të vështira, si ai i vitit 1966, kur pas ekspozitës në Durrës me Foto Stamon, artisti akuzohet për ndikim nga arti borgjez.

“Kur organizuan ekspozitën e Durrësit me Stamon, mori një nga goditjet e para. Vetë, kryeministri i asaj kohe, Mehmet Shehu, shkruante se si artistët kishin bërë një interpretim të padrejtë të realitetit, pasi kuptohet, ata donin që Shqipëria të rrinte e mbyllur të mos hapej...

Babanë dhe ne na dërguan në Divjakë, ku qëndruam për 10 vjet. Jemi rritur atje në një farë mënyre...”

 

Ka pasur edhe të tjerë shkrimtarë e artistë, që regjimi hatërmbetur, ndaj artit të tyre që mund t’i kishte devijuar ideologjive komuniste në kërkim të lirisë, i pat dërguar në këtë qytet. Të tillë ishin Naum Prifti, Kolë Nika etj. Orgesi kujton në veçanti njërin prej tyre… në një takim të pamundur për shkak të mbikëqyrjes së ish sigurimsave.

“Kujtoj se një ditë atje kemi takuar në tren dhe Kujtim Spahivoglin, që ishte shok i babait. Ai sapo na pa kthehu kokën duke na i bërë me shenjë, se po e gjurmonin nga pas. Ai ka qenë në internim në Fier, ku e çuan të punonte në ndërmarrjen e bonifikimit ku u sëmurë rëndë. Derisa dhe ndërroi jetë në vitin 1987”. 

Ishin vite të vështira, me një ekonomi të brishtë, por që zonja e shtëpisë, mundohej që këtë peshë, të mos ua ngarkonin fëmijëve, e që Shijaku të kishte qetësinë e duhur për të krijuar edhe në këto rrethana të reja. Ndërkaq atij i ishte imponuar që në pikturat e tij, të jetësonte njeriun e punës, fshatin, masën, për të shlyer atë që Partia e konsideronte si shtrembërim të realizmit socialist.

“Kanë qenë vite të vështira, mendoj se nëna ka bërë maksimumin për të na siguruar jetesën”

Pas kësaj periudhe, Annamaria, do të përpiqej që familja të ringrihej. Me punën në artistiken “Migjeni”, ku fillimisht u angazhua edhe për të përmbushur nevojat e fëmijëve, dashurohej dita-ditës. Lodhja ishte e madhe, e sytë e saj e ndienin, por ajo çdo punë artizanale, e bënte me kujdes të veçantë. Prej atij përkushtimi, artisti Shijaku, do të gjente sërish doza frymëzimi.

“Mamaja nisi punë në artistiken ‘Migjeni’. Punonte dekorata, filigranin. Bënte punime në dru, qeramikë e porcelan. Madje prej aty, nisi dhe babai fazat e para të qeramikës, e më tej pikturën e skulpturën. Ajo ka qenë mbështetje e saj. Ishte e gjitha si një betejë, ku babai ishte përpara, ne fëmijët në mes, e ime më në prapavijë, që të sigurohej se ne të ecnim”

Në heshtje, e paditur të ankohet, Annamaria s’do të linte asnjëherë pas dore vilën shekullore. Madje herë pas here lidhja e saj me këtë banesë dukej ishte më e fortë se e çdokujt tjetër. Kujdesej për të si të qe një vilë e gjallë, që do të trishtohej nëse e linin pas dore, apo nëse e trajtonin pa vëmendje të veçantë. Por ngjarjet artistike, që duhet të ishin momente gëzimi, tronditnin herë pas here jetën e familjes Shijaku. Deri edhe vepra gati monumentale e Mic Sokolit, që u bë slogan e imazh i patriotizmit në Kosovë, do të kritikohej.

“Im atë ishte shumë i lidhur me shqiptarët e Kosovës, kjo ndihet ehde në tablot e tij”

Shqiptarët e Kosovës, vetë Shqipëria kanë qenë gjithmonë fort të dashura për piktorin, aq sa kur e portretizoi vendin e tij përmes monumentit të “Lirisë” i dha imazhin e dashurisë së tij të madhe, Annamarias. Por, përkundrejt kësaj vepre, një tjetër projekt do ta përfshinte atë në ngjarje edhe të rrezikshme pak vite më vonë. Bëhej fjalë për rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës, të cilën e realizoi bashkë me Shaban Hadërin. Momenti kritik do të vinte gjatë rrëzimit të saj.

“Në atë kohë ne ishim në shkollë dhe mamaja në artistiken “Migjeni”. Ishte periudha kur nisën protestat kundër Enber Hoxhës, kundër sistemit. Në greva e demonstrata morëm pjesë bashkë me vëllanë. Energjia, mosha e re si duket na jepte zemër, pavarësisht se kishim babanë Sekretar të Kryesisë së Kuvendit Popullor”

Anamaria, që prej sistemit komunist, nuk arriti të shikonte asnjëherë të atin, me të cilin u nda pa mbushur një vjeç, ishte në radhët e para të njerëzve që kërkonin ndryshimin. Siç tregon Orgesi, pavarësisht ankthit për atë çka mund të ndodhte, ajo la përparësen e “artistikes” mënjanë dhe i’u bashkua zërit të atyre që kërkonin demokraci. Nga ana tjetër, ndonëse në pushtet në atë periudhë, Shijaku siç rrëfen, ka qenë gjithmonë artisti që diti të fitojë dashamirësinë e qytetarëve, e të jetë në anën e tyre, edhe në karrigen e deputetit. Kur shtatorja e diktatorit do të rrëzohej, do të ishin pikërisht komunistët, ende në grahmat e fundit të pushtetit, që do ta vinin para vështirësisë.

“Në momentin që ne dolëm nga greva e urisë, bashkë me babanë unë shkova drejt qendrës së qytetit.  Në atë moment na kanë ardhur disa nga forcat e sigurimit të shtetit, kanë kapur babanë prej duarsh, edhe i kanë thënë: “Tani do vish me ne dhe do ta rindërtosh sërish monumentin e Enver Hoxhës, pasi ne do ta vendosim sërish aty ku ishte!”. Ai u tha: “Momentin tim e hoqën këta studentë, djemtë e rinj, populli shqiptar, ndaj kjo nuk mund të bëhet”... Në atë përplasje, njerëzit i dolën në krahë Sali Shijakut, arritën ta largojnë nga forcat e Sigurimit dhe e shoqëruan deri në shtëpi”

Pak kohë pas ngjarjes, Orgesit do t’i dilte viza për në Itali. Drejt emigracionit do të shkonte me të atin e do të binin në kontakt me xhaxhain e Annamarias. Ndërsa, gjyshi Gaetano kishte ndërruar jetë.  Prej Puglias ku qëndruan, në pritje që t’u bashkohej edhe pjesa tjetër e familjes, ata kërkonin që Annamaria të linte banesën e të shkonte në Itali. Por zonja e shtëpisë, refuzonte ta linte vilën, pa u siguruar që do të ishte e mbrojtur. Propozimi për ta shitur, për të do të thoshte të linte pas historinë, kujtimet vlerat e asaj vile për të cilën u kujdes gjatë gjithë jetës.

“Në momentin që shkuam në Itali dhe morëm strehim politik, u dërguam në një kazermë ushtarake, ku qëndruam për dy vjet të mbyllur. Ata mbetën këtu... Unë i thosha nënës të vinte, por ajo nuk pranonte, më thoshte: ‘Nuk vij se këtu kemi veprat, vilën nuk i lë’. Për një vit ajo qëndroi vetëm”

Në fund do ta linte në kujdesin e Ambasadës Franceze,  e do të nisej për në vendlindjen e të atit. Do të përshkonte gati një gjysmë shekulli më pas , atë rrugëtim, që i ndaluan kur sapo kishte lindur. Por babai  s’do mund t’i priste. I treguan se për gjithë vitet sa ish gjallë, ai dilte çdo ditë në bregdet, me shpresën se një haber a fëmijët, do të vinin drejt tij…

“Gjyshi nuk mundi ta takonte nënën, pasi ai u nda nga jeta në vitin 1985. Por shkoi vetëm për një tufë lule. Ka vuajtur shumë, si të gjitha nënat shqiptare, edhe ajo ka qenë pjesë e tyre...”

Kjo është historia e Annamaria Shijakut, gruas së heshtur e fisnike të artistit. Është edhe një pjesë historie e vilës 3 shekullore, që është sa e Sali Shijakut, aq edhe Annamaries,  e cila e mbrojti edhe në momentet më kritike. Është historia e një muze, që frymëzoi veprat e Shijakut… Historia e një gruaje, që nuk arriti kurrë të takonte babanë për shkak të çmendurisë së një sistemi, e megjithatë nuk e bërtiti asnjëherë dhimbjen e saj…

“Nënat tona asnjëherë nuk shfaqen. Ato qëndrojnë në prapavijë, por prapavija është më e egër sesa sulmi. Nënat tona... janë ato që na japin forcë, na japin jetë... E tillë ishte dhe nëna ime Annamaria. Ajo qe muza muza e Sali Shijakut, një nënë edhe një bashkëshorte që ka ndikuar shumë në jetën e secilit prej nesh në familje, por që ka lënë gjurmët e saj edhe në artin dhe kulturën shqiptare” .

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?