Saimir Kuçi, anëtar i grupit të grabitjeve “Hijet e Natës” është gjetur i pajetë në banesën e tij në rrugën “Petro Marko” në Yzberisht në Tiranë. 37-vjeçari u gjet nga familjarët i vetëvarur mbrëmjen e së dielës. Ai ka bërë më herët 11 vite burg dhe ishte liruar. Ai dyshohet se mori pjesë në një tjetër grabitje. Bashkë me persona të tjerë, Saimir Kuçi mori pjesë në grabitjen e shtëpisë së biznesmenit Nazmi Çangu në Fushë Krujë në muajin nëntor të vitit 2021.
Saimir Kuçi qëndronte në banesën e tij në Yzberisht nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, masë kjo e cila iu dha nga Gjykata e Krujës për shkak të problemeve të shëndetit mendor. Ky shkak dhe gjendja depresive duket se kanë çuar deri në vetëflijimin e tij në banesë.
Saimir Kuçi nuk ishte një emër i panjohur për policinë, pasi është arrestuar edhe më parë pikërisht për grabitjet dhe vjedhjen e disa kasafortave dhe bizneseve në Tiranë dhe qytetet të tjera të vendit. Kuçi i cili ishte dhe ‘koka’ e grupit të vjedhjeve, pasi ndaj tij dhe 4 anëtarëve të tjerë të grupit janë faktuar 11 grabitje në Tiranë, Durrës, Kavajë, Laç, Lezhë dhe Berat nën kërcënimin e armëve me vlerë deri në 650 milion lekë gjatë periudhës 2017-2018. Kuçi akuzohej për vjedhjen e shumave të majme në banesa, në zyra biznesesh, si edhe në Ambasadën Daneze në Tiranë.