Shkodër- Arlind Kajoshi, 31-vjeçari i shpallur në kërkim për dhunën e ushtruar ndaj Vladimir Bruçit ka rënë në prangat e policisë.
Ngjarja u regjistrua në qytetin e Shkodrës për një vendparkim më 3 qershor 2024. Ndërkohë në kërkim vijon të jetë ende Samet Halluni, 27 vjeç.
Në lidhje me këtë ngjarje blutë më 4 qershor të 2024-ës arrestuan Edmond Sakicaj, ndërsa Samuel Troshani dhe Izmir Sakica, të shpallur në kërkim ghithashtu për këtë konflikt u vetëdorëzuan në Policinë e Shkodrës më 22 janar të këtij viti.
Njoftimi i policisë:
Në zbatim të planit të masave për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë lokalizuar, kapur dhe ndaluar shtetasin:
A. K., 31 vjeç, banues në Shkodër, i shpallur më kërkim për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Kanosja”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”,
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas është përfshirë në konfliktin e ndodhur për vendparkimin e automjeteve, më datë 03.06.2024, në rrugën “Pogej”, gjatë të cilit u godit fizikisht dhe me sende të forta, shtetasi V. B.
Vijon puna për kapjen e shtetasit S. H., 27 vjeç.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Komente
