Kronikë

Prodhonte mina me telekomandë për krimin, arrestohet 25-vjeçari në Tiranë! Kishte 'punishte' në kryeqytet për bandat e Shkodrës (EMRI)

9 Shtator, 12:37| Përditesimi: 9 Shtator, 16:32

  • Share

Teksa në Shkodër po hetohet për masakrën me 2 të vrarë e 2 të plagosur, në Tiranë, policia arrestoi një shkodran të kërkuar prej janarit te vitit 2024, të konsideruar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i cili akuzohet se prodhonte mina me telekomandë për t’ia shitur grupeve kriminale në kryeqendrën e Veriut për larje hesapesh mes bandave.

Jaser Shaba, 25-vjeç, u arrestua në zonën e Selitës në Tiranë, nën shoqërinë e 28-vjeçarit gjithashtu nga Shkodra, Gert Haxhija, i cili e kishte ndihmuar të fshihej. Efektivët e komisariatit numër 3 në kryeqytetit, sekuestruan automjetin dhe 3 celularë. 

Prokuroria e Shkodrës kishte lëshuar udhër ndalimi për 25-vjeçarin Jaser Shaba, për mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve shpërthyese.  Ai ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Brothers” (Vëllezërit) në janar 2024 pasi dyshohet se në bashkëpunim me vëllanë e tij, të arrestuar më herët, posedonte 2 mina me telekomandë, të programuara për shpërthim në distancë, që dyshohet se do të përdoreshin për atentate me eksploziv.

I riu, me njohuri të avancuara në IT, ishte truri teknologjik i prodhimit të eksplozivëve me telekomandë në rrugë artizanale në disa punishte në Tiranë, ambientet e të cilave i merrte me qira vëllai më i vogël, Jesari 21 vjeç. Vëllezërit Shabaj janë nipat e ish kreut të njësisë Administrative Postribë, Altin Shabaj.

Njoftimi i policisë:

Posedonte në bashkëpunim me vëllanë e tij, 2 mina me telekomandë, të programuara për shpërthim në distancë, që dyshohet se do të përdoreshin për ngjarje të rënda kriminale, kapet dhe vihet në pranga 25-vjeçari.     

Vihet në pranga dhe një 28-vjeçar, që e ndihmonte 25-vjeçarin për t’u fshehur. 

Sekuestrohen 1 automjet dhe 3 celularë.  

Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, në vijim të punës për kapjen e shtetasve në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Together”.   

Gjatë operacionit u kapën në Selitë dhe u vunë në pranga shtetasit:  

J. Sh., 25 vjeç, banues në Shkodër, për të cilin Prokuroria ka lëshuar urdhër ndalimi për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Brothers”, i zhvilluar në muajin janar 2024, pasi dyshohet se posedonte në bashkëpunim me vëllanë e tij (i arrestuar), 2 mina me telekomandë, të programuara për shpërthim në distancë, që dyshohet se do të përdoreshin për ngjarje të rënda kriminale; 

G. H., 28 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se përkrahte shtetasin J. Sh., duke e ndihmuar të fshihej.    
  
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Xh.D/G.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Masakra me 2 viktima në Shkodër, sa të sigurt ndiheni?