Pas disa orësh kërkime nga banorët e zonës dhe familjarët e tij, një 25-vjeçar i zhdukur që nga mbrëmja e djeshme është gjetur i mbytur në një kanal vaditës në Mat.
Që kur familjarët e të riut lajmëruan policinë e Matit rreth orës 23.35, të mbrëmjes së djeshme, se 25-vjeçari kishte shkuar në pyll për të mbledhur kërpudha por nuk ishte kthyer ende në banesë, policia nisi kërkimet në zonën e fshatit Shulbatër.
Pas disa orësh kërkime në bashkëpunim me banorët e zonës dhe familjarët e tij, 25-vjeçari është gjetur i vdekur pa shenja dhune, i mbytur në një kanal vaditës.
Sipas policisë, nga veprimet e para hetimore dyshohet se i riu është mbytur aksidentalisht.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.