Mike Pence

Ish-zëvendës presidenti i SHBA duhet të dëshmojë para jurisë së madhe për veprimet e tij kur mbështetësit e Trump sulmuan Kapitolin

28 Mars 2023, 21:13| Përditesimi: 28 Mars 2023, 21:18

  • Share

Një gjykatës federal ka vendosur që ish-nënpresidenti Mike Pence duhet të dëshmojë para një jurie të madhe pasi u thirr nga prokurori special, i cili po heton përpjekjet e ish-presidentit Donald Trump dhe aleatëve të tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Dy persona që kanë njohuri mbi vendimin e gjykatësit, folën në kushte anonimiteti sepse vendimi ende nuk është bërë publik.

Megjithatë, ata thanë se zoti Pence nuk do të jetë i detyruar t'u përgjigjet pyetjeve në lidhje me veprimet e tij më 6 janar të vitit 2021, kur një turmë e mbështetësve të ish-presidentit Trump sulmoi Kapitolin ndërsa ish-nënpresidenti Pence po kryesonte një seancë të përbashkët të Kongresit për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.

Ish-nënpresidenti Pence ka argumentuar se duke qenë se po shërbente në cilësinë e Presidentit të Senatit atë ditë, ai është i përjashtuar nga detyrimi për të dëshmuar bazuar në nenin e Kushtetutës mbi "fjalimin ose debatin", i cili i mbron të drejtën e anëtarëve të Kongresit që të mos merren në pyetje për aktet legjislative.

Skenari i jashtëzakonshëm i mundësisë që një ish-nënpresident të dëshmojë kundër ish-shefit të tij në një hetim penal shpaloset ndërsa zoti Pence po shqyrton mundësinë e kandidimit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Ish-presidenti Trump tashmë e ka shpallur kandidaturën e tij për president.

Ekipi i ish-nënpresidentit Pence është duke shqyrtuar tani mundësinë e apelimit të vendimit të sotëm të gjykatësit federal. VOA

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?