Një vullkan ka shpërthyer përsëri ditën e djeshme në jugperëndim të Islandës, në Grindavik për herë të 6 prej dhjetorit të kaluar.
Sipas AP News, shpërthimi nga një plasje e re filloi pak pas orës 21:00 të së enjtes, (22 gusht) pas disa tërmetesh të fortë, ndërsa autoritetet islandeze thanë ditën e sotme se lava vijon që të rrjedhë nga vullkani, por ndikimi i shpërthimit të tij mbetet i lokalizuar.
Halldor Bjornsson, kryetar i Agjencisë Meteorologjike të Islandës, tha se në dallim nga shpërthimet e kaluara, rrjedha e lavës nga shpërthimi këtë herë nuk është duke shkuar drejt qytetit Grindavik. Banorët e këtij qyteti u evakuan në dhjetor kur vullkani shpërtheu për herë të parë pas 800 vjetëve.
“Nëse vazhdon kështu, Grindaviku nuk është në rrezik. Natyrisht se nuk e dimë çfarë do të ndodhë në të ardhmen e afërt, por ka gjasa se vullkani e ka arritur kulmin dhe do të fillojë të shuhet sikurse shpërthimet e kaluara”, tha gjeofizikani Magnus Tuma Guomundsson.