Helena e Ismail Kadare në Panair, rrëfimi për “Report tv”: Nga rikthimi në Tiranë, te ‘Nobeli” i dëshiruar në komunizëm, e librat që po shkruajnë! Na vishen shumë jo të vërteta, kjo na mërzit!

20 Nëntor 2022, 12:01| Përditesimi: 20 Nëntor 2022, 17:15

  • Share

Pa shkuar ora 11.30 ai mbërrin në stendën e shtëpisë së tij botuese. Pritja për shkrimtarin Ismail Kadare në këtë Panair të 25-të, është njësoj e ngrohtë, e radha e gjatë... ndonëse shënon dita e fundit e ngjarjes më të madhe të librit.

“Ju përqafoj të gjithëve... Lexuesit janë pjesa më e bukur e letërsisë! Ne shkruajmë për ju e duam të dimë mendimin tuaj, mbi atë që shkruajmë”, thotë shkrimtari Ismail Kadare...

Të pandarë, me Elenën në krahë, edhe në këtë takim me lexuesin mes bisedash e autografesh, reflektojnë gëzim...

“Helena është gruaja ime, gjithmonë përkrahë!”, shprehet shkrimtari

Tryeza e improvizuar, është e ngjashme me atë të 4 viteve më parë kur dy bashkëshortët, prezantonin botimin më të fundit të Kadares “Kur sunduesit grinden”. Nuk ka një libër të ri këtë vit, por siç rrëfejnë, ai është duke shkruar...

“Diçka po!”, shprehet Kadare.

Ndërsa Helena zbulon më tej, nëse shkrimtari konsultohet ende me të mbi atë që shkruan.

“Vijojmë si gjithmonë, duke pasur edhe kundërshtime (qesh), por në fund del saktë”, shprehet Helena Kadare.

Por si janë momentet kur Ismail Kadare, shkruan, sporadike apo të planifikuara?

“Është shumë i rregullt. Madje ai shkruan çdo ditë, dy orë, dy e gjysmë”, shton më tej ajo.

Nëse në Paris, siç zbulon edhe në librin “Mëngjeset në Kafe Rostand”, ky vend ishte i preferuari për të shkruar, Helena tregon nëse edhe në Tiranë, e ka një qoshk të tillë.

“Këtu është e pamundur, se këtu kudo që të vejë do të shkojnë pranë tij dashamirës. Kjo ndodhte dhe atje po njerëzit ishin disi më të kujdesshëm prisnin sa të përfundonte së shkruari... Por erdhi një moment dhe atje dhe ngaqë u bë e vështirë, ndërroi kafenenë”, shprehet Helena.

 

Mes titujve që e rrethojnë këtë të diel, shkrimtarin Ismail Kadare, ka edhe autorë të tjerë, që po bëjnë që emri i Shqipërisë të lakohet në ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare të letërsisë. E tillë është poetja Luljeta Lleshanaku, e cila fitoi këtë vit çmimin “Poeti Evropian i Lirisë”. Ndonëse institucionet e kaluan lajmin në heshtje, Kadare rrëfen mendimin e tij, për sukseset e kolegëve, edhe përtej kufijve.

“Është një gjë shumë, shumë e mirë! Nuk kam ç’të them veç fjalë të mira!”, shprehet shkrimtari Ismail Kadare.

Nuk kanë dijeni për 4 propozimet e Akademisë së Shkencave për çmimin “Nobel” gjatë këtij viti krahas Kadaresë me emra si Fatos Kongoli, Luan Starova, emri i të cilisht ishte përzgjedhur para ndarjes nga jeta dhe arbëreshit Carmen Abate, në një kohë që lista e emrave u zgjerua me kërkesë të Akademisë Suedeze për çdo vend.

“Nuk e kam menduar! Nuk kam pasur rast ta mendoj! Hera e parë që e dëgjoj!”, thotë Kadare.

 

Qëndrimi në Tiranë, është përfundimtar, rrëfen Elena, duke treguar se çka u fal copëza lumturie në kryeqytet, por dhe çka i mërzit.

“Këtu unë kam një uri shumë të madhe të takoj të gjithë njerëzit që i njoh prej shumë vitesh. Sigurisht njoh edhe njerëz të rinj, po i përmbahem asaj fjalës së urtë që thotë “zgjidh miq të rinj, por mos harro të vjetërit. Ndërsa që na bezdis kur dëgjojmë gjëra që sjanë të vërteta, se ne na vishen shumë gjëra, duke thënë “që ata bënë këtë e atë”... Sidomos tani njerëzit e kanë shumë të lehtë, që pa thënë emrin e tyre, përmes internetit të thonë gjëra që nuk janë...”, thotë shkrimtarja e përkthyesja Helena Kadare.

Të zhvendosur nga Qerrreti, ku kaluan dhe periudhën e pandemisë, Helena thotë se tanimë prej një muaji në Tiranë, ndihen komod, mes takimesh me miq, e momenteve në skrivani. Njësoj si bashkëshorti i saj, edhe ajo po plotëson tregimet në dorëshkrim, për të cilat na ka rrëfyer në bisedën e fundit.

“Sa bukur e mbani mend! Është ekzakt kështu, sepse pandemia shkaktoi një çrregullim në jetën tonë dhe jam duke i plotësuar këto tregime. Të gjitha temat që i kam pasur ndër mend dhe i kam shënimet aty, dhe Bujari do ti shtojë edhe tregimet që janë botuar shumë vite më parë”, thotë Helena Kadare.

Rikthimin në Shqipëri po e shijojnë, jo vetëm në Tiranë, por edhe përtej saj. Më i fundit udhëtim i tyre ka qenë në Pogradec, në studion e piktorit Anastas Kostandini.

“Pashë gjëra të mrekullueshme në Pogradec, kishte ndryshuar shumë. Dhe vizita në atelienë e Anastasit ka qenë shumë e bukur. Kishte bërë një portret të Ismailit të madh, që është më i realizuari sipas meje”, shprehet Helena.

Ndonëse shkrimtari, u zhvendos në Francë prej vjeshtës së vitit 1990, ku jetuan mes rikthimesh të herë pas hershme, janë të vendosur se SHqipëria, është aty ku duan të jenë.

Helena e ka të zbehtë tashmë besimin për çmimin “Nobel”, ndërsa  tregon edhe qëndrimin e Kadaresë lidhur me të.

“Diskutimi për çmimin Nobel është i hershëm. Madje në vitet e Komunizmit Kadare thoshte se do t’i bënte mirë Shqipërisë. Sepse në kushtet që ishte Shqipëria komuniste, ky çmim do ta ringjallte! Ndërsa, pas rënies së komunizmit është një kënaqësi që i përket Ismailit, por sigurisht edhe lexuesve të tij. Ka disa vjet (4-5 vjet) biles, që nuk e mendojmë më se do ta marri, sepse juria është e pandryshueshme. Kur ata nuk kanë dashur ta japin deri tani, pse papritur duan të ndryshojnë mendje. Është e pamundur! Madje i them Ismailit se ‘nuk do ta marrësh çmimin’, por ai është indiferent”, thotë më tej Helena.

Në Panair, këtë vit, mes librave të shkruar gjendet edhe libri me kujtime i shkrimtares e përkthyeses Meri Lalaj “Helena , Ismaili dhe unë”. Mikesha e çiftit Kadare, u nda nga jeta në qershor të këtij viti, pak ditë para promovimit të tij...

“E ka bërë gjithashtu këtë libër Bujari, e pashë më vonë... Do t’i kisha bërë disa vërejtje, por tashmë, nuk është më e mundur!”, shprehet ajo.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?