ANKONA- Është dënuar me 18 vite burg algjeriani 28 vjeçar i cili vrau Kjaldi Bitrin, me një shtizë peshkimi në Sirolo të Ankonas më 27 gusht 2023.
Shqiptari 23 vjeçar humbi jetën tragjikisht teksa ndërhyri për të ndihmuar shokun e tij italian që po sulmohej nga algjeriani, në rrugën Cilea në Sirolo. Ky i fundit e qëlloi Bitrin në gjoks me shtizë peshkimi.
23 vjeçari ndërroi jetë pak minuta më vonë ndërsa autori u rikthye në makinë dhe ishte larguar. Ai u arrestua para darke, në Falconara, nga karabinierët, duke u kthyer nga peshkimi.
Prokurori Marco Pucilli kërkoi dënimin prej 24 vjetësh. Gjykata përjashtoi ‘rrethanat rënduese’ e motive të kota", shkruan agjencia italiane e lajmeve ANSA
Gjykata, e kryesuar nga gjyqtari Roberto Evangelisti, e dënoi të akuzuarin, i mbrojtur nga avokati Davide Mengarelli, gjithashtu të paguajë një kompensim prej 40 mijë euro për prindërit e të riut, palë civile me avokaten Marina Magistrelli.
Vendimi u dha pak para orës 15:00, të 21 janarit, pas gati tre orësh në dhomën e këshillimit. Në sallën e gjyqit ishte sjellë edhe shtiza e peshkimit me të cilën ishte kryer krimi.
Klajdi ishte një djalë që ishte integruar në mënyrë perfekte në Itali, punonte për të mbështetur vëllain e tij më të vogël dhe dy prindërit që jetojnë në Lushnje.