Një 51-vjeçare shqiptare, është dënuar me dy vjet burgim dhe me gjobë 7 mijë euro pasi përndiqte fqinjën e saj, Giuseppina një 70-vjeçare nga Cremona në itali.
E moshuara përjetoi një makth për dhjetë vjet për shkak të fqinjës së saj, e cila që nga viti 2015, e përndiqte dhe e fyente. Giuseppina gjatë seancës dëgjimore nëntorin e kaluar deklaroi se u sulmua gjithashtu verbalisht.
“Po më bën magji të zezë me sodë buke. Ajo na quajti të neveritshëm, gënjeshtarë, por ne gjithmonë i përgjigjeshim me heshtje. Përveç një herë, kur i thashë se kishte nevojë për trajtim. Ajo bënte gjithë kohës zhurmë në shtëpi, sipër, bërtiste, kur na shihte thoshte ‘zhurmë, zhurmë’, sikur të duhej ta largonte djallin, bënte gjestin me brirë dhe pështyu mbi ne”, ishte dëshmia e italianes.
Familja ishte përpjekur të kërkonte ndihmë, duke iu drejtuar institucioneve, punonjësve socialë, por nuk u bë asgjë.
“Ishte si një rreth vicioz. Babai im, i cili ishte sëmurë në vitin 2022, vdiq në nëntor 2024 dhe për shkak të këtyre qëndrimeve, ai nuk ishte në gjendje të përjetonte ato momente qetësie dhe heshtjeje që ishin të nevojshme për të. Ne u torturuam nga kjo zonjë”, deklaroi vajza e çiftit.
Për shkak të fqinjës së saj, Giuseppina nuk dilte më nga shtëpia përveçse për të bërë pazar dhe për të shkuar në kishë.
“Jam gjithmonë në ankth dhe marr ilaçe kundër depresionit. Gjithmonë u jemi përgjigjur fyerjeve me heshtje, edhe nëse kemi qenë të zemëruar brenda. Nuk e kemi vënë kurrë veten në nivelin e saj. Çdo herë e kemi raportuar, por ajo nuk ndalej kurrë”, shtoi 70-vjeçarja në gjykatë.
Para dënimit, 51-vjeçarja shqiptare u përpoq të mbrohej, duke pretenduar se të gjitha ishin gënjeshtra dhe duke u përpjekur të përmbyste rolet.
”Giuseppina ishte arrogante, ishte ajo që më ofendoi. Ishte faji i saj që qava shumë. Ajo gjithashtu më hipnotizoi si Giucas Casella dhe i bëri magji djalit tim. Kërkova një ekzorcist në Google”, u shpreh gruaja 51-vjeçare.
Komente

Ka dhe me keq
Përgjigju