Një 34-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Fatbardh Mneraj, është arratisur mbrëmjen e së shtunës nga burgu Dozza në Bolonja të Italisë. I riu shqiptar, i dënuar për grabitje, kishte përfituar nga regjimi i gjysmëlirisë, që iu lejon të burgosurve të punojnë ose të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme edukative.
Sipas mediave italiane, gjatë transferimit nga godina ku qëndronte, 34-vjeçari dyshohet se ka përfituar nga një derë e hapur për t’u arratisur nga burgu, duke u zhdukur pa lënë gjurmë. Kërkimi vijon dhe policia e burgjeve ka publikuar fotot dhe të dhënat personale të të burgosurit të arratisur.
Seksioni për të burgosurit gjysmë të lirë është brenda oborrit të Dozza-s, por është i ndarë nga ndërtesa ku ndodhet burgu aktual.
Çfarë është regjimi i gjysmëlirisë?
Është një nga përfitimet e parashikuara për të burgosurit që vendoset nga Gjykata. I dënuari lejohet të kalojë një pjesë ose të gjithë ditën jashtë burgut për të marrë pjesë në aktivitete pune, edukative ose riintegrimi shoqëror. Për t’u pranuar në këtë regjim, i burgosuri duhet të ketë kryer të paktën gjysmën e dënimit kur dënimi i shqiptuar është më i gjatë se gjashtë muaj.
Komente
