Policia italiane ka vënë në pranga dy shqiptarë pasi akuzohen për shitje të lëndës narkotike kokainë.
Guarda di Finanza, pas një sërë hetimesh, zhvilloi kontrolle në 4 prona për Perugia dhe Bastia Umbra, të cilat ishin në posedim të disa prej të dyshuarve, si pjesë e një hetimi për shitblerje të lëndës narkotike kokainë dhe jo vetëm.
Gjatë kontrolleve u gjetën 3 kilogramë kokainë të pastër, e cila ende nuk ishte ndarë në doza, ndërsa 40 gramë të tjera kokainë ishin gati për t'u hedhur në treg.
Po ashtu, u gjetën gjithashtu rreth 1.8 kilogramë lëndë përzierëse, dhe rreth 600 euro që mendohet se janë të ardhura të trafikut të paligjshëm.
Veprimtaria kriminale e trafikut të drogës të kryer nga grupi është dokumentuar përmes kapjeve në flagrancë, përgjimeve telefonike dhe mjedisore, si dhe lokalizimit satelitor të mjeteve në lëvizje, duke bërë të mundur kështu lokalizimin dhe kapjen e grupit kriminal të përbërë nga shqiptarë dhe italianë.
Pas kontrolleve, efektivët e GICO të Njësisë së Policisë Ekonomiko-Financiare të Perugias arrestuan dy shqiptarët për posedim të lëndës narkotike.