Të mërkurën në mëngjes një zjarr i fuqishëm ka përfshirë Fakultetin e Agronomisë në Universitetin e Tuscia-s në Viterbo. Sipas hetimeve të para, flakët kanë nisur nga sistemi fotovoltaik që ndodhet në çatinë e ndërtesës C, ku po kryheshin punime për vendosjen e një shtrese hidroizoluese. Zjarri u përhap më pas edhe në laboratorin poshtë, një hapësirë prej 150 me 50 metra, ku për fat të mirë nuk ndodheshin persona në atë moment. Një punëtor që po punonte në çati u raportua i zhdukur, por më vonë u gjet i sigurt.
Katër skuadra zjarrfikësish po punojnë intensivisht për fikjen e zjarrit. Për shkak të tymit të dendur, është evakuuar edhe një hotel pranë ndërtesës për sigurinë e banorëve dhe të stafit, raportohet Corrire Della Sera.
Laboratori poshtë është ai i kimi-se dhe gjenetikës, ku ruheshin substanca shumë të ndezshme, si 500 litra etanol dhe bombola me protoksid azoti, gjë që ka rritur rrezikun dhe vështirësuar ndërhyrjen. Policia lokale ka bllokuar rrugët e aksesit në zonë, ndërsa kryetarja e bashkisë së Viterbos, Chiara Frontini, u ka kërkuar banorëve që të mbajnë të gjitha dritaret e shtëpive të mbyllura brenda një rrezeje prej një kilometri. Ajo njoftoi gjithashtu se do të nxirret një urdhër për mbylljen e dritareve dhe masat për dyqanet e zonës, për shkak të tymit të dëmshëm.
Nuk raportohet për të lënduar rëndë, megjithatë disa persona janë dërguar me ambulancë për helmim të lehtë nga tymi. Zjarri shpërtheu rreth orës 10 në lagjen Riello, pranë Gjykatës së Viterbos.
Prokuroria e Viterbos është duke pritur raportet e para nga zjarrfikësit dhe forcat e rendit, dhe pas përfundimit të verifikimeve do të hapë zyrtarisht një hetim për ngjarjen. Shkaqet e zjarrit ende po studiohen, por gjithçka tregon se ka nisur nga çatia ku po kryheshin punimet.
Kjo ngjarje është një goditje e madhe për komunitetin shkencor dhe arsimor në fushën e agronomisë. Roberto Petretti, kryetar i Shoqatës së Agronomëve dhe Pylltarëve të provincës së Viterbos, theksoi se Fakulteti i Agronomisë i Universitetit të Tuscia-s është një nga më të mirët në Itali dhe një pikë kyçe për zhvillimin shkencor dhe edukimin profesional në këtë sektor. Ai shprehu solidaritet me komunitetin akademik dhe shpresën që të mos ketë të lënduar dhe që rindërtimi të nisë sa më shpejt.
Në mbështetje të Universitetit u shprehën edhe autoritetet rajonale dhe qeveritare. Giancarlo Righini, këshilltar për buxhetin, bujqësinë dhe sigurinë ushqimore në rajonin Lazio, u shpreh i tronditur dhe premtoi bashkëpunim për rikthimin sa më të shpejtë të funksionimit të fakultetit. Ndërkaq, këshilltarja për arsimin Luisa Regimenti garantoi mbështetjen për rifillimin e aktiviteteve akademike.
Ministri i Mjedisit dhe Sigurisë Energjitike, Gilberto Pichetto, në një postim në Facebook u shpreh i trishtuar për ngjarjen dhe siguroi komunitetin akademik, studentët dhe qytetarët se qeveria do të qëndrojë pranë tyre gjatë procesit të rimëkëmbjes, duke theksuar rëndësinë e arsimit për të ardhmen mjedisore të vendit.
Komente
