Itali- Dy shqiptarë janë kapur nga policia italiane teksa po trafikonin një ngarkesë me 23 kilogramë kokainë të pastër.
Të arrestuarit janë një çift të rinjsh, 38 dhe 25 vjeç. Operacioni u krye tre ditë më parë në zonën e Firences.
Pas një aktiviteti informativo-hetimor, agjentët e pozicionuar jashtë shtëpisë së 38-vjeçarit, që ndodhet në “Via Zani”, në Greve in Chianti, ishin në gjendje ta vëzhgonin pasi kishte parkuar makinën e tij.
Ai bënte lëvizje të dyshimta, teksa pas disa minutash doli nga apartamenti me një çantë në dorë, që e vendosi në pjesën ndarëse të pasagjerit të mjetit, që ishte parkuar para shtëpisë.
Në këto momente agjentët ndërhynë për të kryer kontrollet e nevojshme, duke konstatuar se brenda çantës kishte gjashtë blloqe në formën drejtkëndëshit, të mbështjella me plastikë blu dhe me shkrimin ‘357’ që dyshohet se është kodi sekret që i përket grupit porositës ku do dorëzohej apo i përkiste malli. Nga analizat rezultoi se ishte lëndë narkotike kokaine e cilësisë së lartë.
Në të njëjtën kohë, gruaja 25-vjeçare mbërriti në vendngjarje dhe me të parë oficerët, përshpejtoi në përpjekje për t'i shpëtuar kontrollit. Ajo u ndoq dhe u ndalua pak më vonë.
Duke i zgjeruar kontrollet në shtëpinë e tij, oficerët gjetën blloqe të tjera të substancës, me të njëjtat karakteristika si ato të gjetura në makinë, brenda një qeseje të fshehur në një dollap. Brenda një kasaforte të fshehur pas një pikture, u gjet një shumë parash të barabarta me 11450 euro, informon media italiane.
Nga peshimi rezultoi se bëhej fjalë për një ngarkesë me afërsisht 23 kg, e ndarë në 20 ‘tulla’. Dy të arrestuarit u dërguan në Sollicciano, në pritje të vlefshmërisë së masës paraprake.
Komente
