Itali- Një grup italo-shqiptar ‘skifterësh’ dhe të shpërndarjes së drogës është goditur fundjavën e kaluar nga policia në Faenza.
Të arrestuarit janë 22-vjeçari Francesco Marino, që u la në burg nga Gjykata, 37-vjeçari Andi Arapi dhe 31-vjeçari Ledio Hysa, shqiptarë, që u lanë me masa të buta sigurie detyrim paraqitjeje dhe arrest shtëpie. Masat u dhanë nga gjykatësi i hetimeve paraprake Andrea Galant mditën e djeshme. 22-vjeçari italian u akuzua gjithashtu për vjedhje të rëndë, zhvatje dhe marrje mallrash të vjedhura; ndërsa Hysa ishte gjithashtu në telashe për posedim droge me qëllim trafikimi.
Sipas rindërtimit të karabinierëve, gjithçka filloi me vjedhjen e tabletave dhe telefonave celularë nga piceria e Manfredit "Il Girasole di Batti". Sipas prokurorisë, kjo u pasua nga grabitja. Marino dyshohet se bastisi picerinë, me një dëm 5 mijë euro.
Pronari të nesërmen mori telefonatë të çuditshme nga një person që i thoshte se duhet të paguante 150 euro për t’i marrë mbrapsht pajisjet e vjedhura, informon media italiane.
Duke u shtirur sikur pranoi, ai i futi në kurth autorët dhe i denoncoi në polici. Gjatë dorëzimit të kontrolluar u bë edhe arrestimi i tyre. Një prej tyre, shqiptari Hysa, u kap me disa doza kokaine; një kontroll i mëvonshëm në shtëpinë e tij gjeti doza shtesë që arrinin në total 16 gramë, si dhe 2100 euro cash, të ardhura nga trafiku i drogës.
Ndaj tyre u ngrit edhe akuza shtesë e zhvatjes, kurse, pajisjet e vjedhura, përfshi dhe një biçikletë, iu kthyen pronarit të picerisë.
Komente
