Itali - Dorian Petoku, i cilësuar si ‘mbret i trafikut evropian të drogës’ është liruar nga burgu. Ai u dënua me 12 vite burg por vetëm 1 vit më vonë, do të dalë nga qelia për të shkuar në një qendër rehabilitimi spitalore në Morlupo.
Trafikanti shqiptar i drogës, Dorian Petoku njihet për lidhjen e trafikut midis Romës së Veriut dhe Acilisë. Ai menaxhonte një trafik kokaine nga Tirana në Romë, të lidhur me personazhe të krimit.
30-vjeçari, u ekstradua nga Shqipëria shtatorin e kaluar. Ai u akuzua se kishte furnizuar me drogë organizatën kriminale të drejtuar fillimisht nga Fabrizio Piscitelli, i njohur si 'Diabolik' dhe i vrarë më 7 gusht 2019 në Parco degli Acquedotti, dhe më pas nga ish krahu i tij i djathtë Fabrizio Fabietti, një tjetër trafikant i dënuar së fundmi me tridhjetë vjet burg.
Petoku është cilësuar një nga figurat më të spikatura të mafies shqiptare, e cila ka "mbytur" Romën me kokainë, marijuanë dhe armë. Petoku u arrestua në Tiranë në 30 janar të 2019 si pjesë e një grupi që kishte tentuar të trafikonte 7 ton kokainë nga Brazili në Itali. Petoku, ra në pranga falë operacionit të përbashkët me autoritetet italiane të koduar “Brasile low cost”.
Ai kishte për detyrë të ndërmjetësonte çmimin e kokainës, transportimin e saj dhe korruptimin e punonjësve të doganave.