Itali- Një 44-vjeçar shqiptar është vënë nën arrest nga policia italiane, pasi akuzohet se ka keqtrajtuar partneren e tij dhe e ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur.
Ngjarja ka ndodhur në Supino, rajoni i Frosinone, teksa Gjykata i ka dhënë të dyshuarit edhe masën e sigurisë arrest shtëpie, duke i vendosur një byzylyk kontrolli elektronik.
Masa u ngrit pas ankesave të ndryshme të bëra nga ish-partnerja, pranë Komandës së Karabinierëve të Supinos, për akte të ndryshme të dhunës fizike dhe verbale, të ndodhura në periudhën korrik 2024, deri në shkurt 2025.
Gruaja, në denoncimet e ndryshme të paraqitura, ka sjellë në vëmendjen e Gjykatës dhe përndjekjen nga partneri i saj, si gjatë marrëdhënies ashtu edhe në përfundim, duke e cilësuar si person me natyrë të theksuar xheloze, me sjellje ngacmuese dhe kërcënuese, deri dhe në sulme fizike.
Më datë 16 shkurt 2025, pas një takimi të dakordësuar për kthimin e sendeve personale, duke mos pranuar ndarjen, shqiptari e ka shtyrë ish-partneren në rrugë duke e rrëzuar, më tej e ka ndjekur me makinë dhe teksa e arriti, e goditi me grusht në fytyrë dhe trup, duke i shkaktuar lëndime që shërohen për 40 ditë, informon media italiane.
Përveç arrestit shtëpiak me byzylyk elektronik, Gjykata e ka urdhëruar shqiptarin me ndalim total të komunikimit dhe aksesit në rrjetet sociale.
Komente
