Depoja e braktisur ku kultivohej edhe marihuana, e sekuestruar nga Guardia di Finanza

Bota

Itali/ Fermë marihuane e trafik kokaine, zbulohet depo me rreth gjysmë toni drogë! 12 të arrestuar, pjesa më e madhe shqiptarë, ‘biznes’ me gjuhë të koduar

17 Qershor, 13:02| Përditesimi: 17 Qershor, 13:16

  • Share

Lombardi- Guardia di Finanza çmonton një organizatë të trafikimit dhe të kultivimit të drogës në rajonin e Lombardisë në Itali, e përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë.

Hetimet e nisura prej vitit 2024, ku u sekuestrua fillimisht rreth gjysmë toni marihuanë dhe kokaine, u finalizuan së fundmi me një operacion të shkallës së gjerë, që çoi në të paktën 12 arrestime të dyshuarish dhe zbulimin e një depo të braktisur në ‘Via Adige’, në zemër të zonës industriale të Villaggio Vecchio, në rajonin e Breshias dhe Pescara. Pjesa më e madhe e të arrestuarve janë shqiptarë.

Dymbëdhjetë persona u arrestuan në Pescara me akuzën e shoqatës kriminale për prodhimin, trafikimin dhe posedimin e narkotikëve.

“Hetimi i koordinuar nga Drejtoria Antimafia e Distriktit L'Aquila dhe i kryer nga Njësia Hetimore e Karabinierëve të Komandës Provinciale të Pescara, dokumentoi aktivitetin e një organizate kriminale të strukturuar mirë, të përbërë kryesisht nga individë me origjinë shqiptare”, njoftuan autoritetet pas aksionit.

Rrjeti kishte bazën e tij vendimmarrëse në Abruzzo, në Montesilvano dhe Città Sant'Angelo, por kishte edhe pasoja operative në Lombardi, në veçanti në provincat e Milanos, Brescias, Vareses dhe Kremonës. Depoja ishte një nga vendet kryesore të kultivimit të marijuanës së grupit.

Aktiviteti hetimor çoi në sekuestrimin total të 421 kg marihuanë dhe 2 kg kokainë. Grupi kriminal gjithashtu siguronte kokainë nga kanalet e Lombardisë, duke e transportuar atë në Abruzzo me furgonë me qira. Hetimet zbuluan se si një pjesë e të ardhurave transferohej rregullisht në Shqipëri. Të dyshuarit përdornin karta SIM të regjistruara në emër të individëve të pavetëdijshëm, aplikacione mesazhesh të koduara dhe një rrjet logjistik të kujdesshëm për të shmangur çdo gabim.

Më 29 shkurt 2024, ishte kryer goditja e parë ndaj organizatës, me sekuestrimin e një sasie droge të konsiderueshme, por hetimet u shtrinë edhe më tej. Pas arrestimeve më të fundit dhe gjetjes së një tjetër depoje në zonë, panorama për hetuesit është më e qartë, teksa ka edhe 12 të arrestuar, të cilët akuzohen si të implikuar në sasinë e drogës të kapur më herët.

“Sot, me arrestimet në Pescara, pamja është e qartë: kultivimi i marijuanës në Piadena ishte vetëm një aspekt i një organizate që menaxhonte një trafik kombëtar, duke transportuar ton droge midis Italisë qendrore dhe veriore dhe duke riinvestuar fitimet jashtë vendit”, informon media italiane.

Me arrestimet e kryera iu dha përgjigje edhe pyetjeve se kush qëndronte pas magazinës me drogë të zbuluar në këtë zonë vitin e kaluar.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se rinumërimi i 44% të kutive të votimit do ndryshojë rezultatin?