Foto ilustruese

Bota

Itali/ Grupet shqiptare me taktikë të re, makina me qira për të trafikuar kokainën, 2 të arrestuar brenda natës!

21 Janar, 17:29| Përditesimi: 21 Janar, 17:32

  • Share

Itali- Grupet shqiptare të trafikut dhe shpërndarjes së drogës po përdorin strategji nga më të ndryshmet për të realizuar ‘biznesin’ e tyre dhe për të mbuluar sa më shumë gjurmët e krimit. Siç është taktika e marrjes së mjeteve me qira për shpërndarjen e drogës. Dy prej rasteve u goditën brenda natës në Itali, ku u arrestuan 2 shqiptarë të dyshuar si trafikantë të kokainës.

Fillimisht u kap një 25-vjeçar në Cortona, duke shpërndarë drogë me një makinë që e kishte marrë me qira nga një kompani private.

Ka qenë një kontroll i rastësishëm nga patrulla që çoi në zbulimin në pjesën e pasme të sediljes edhe 13 pako të mbështjella me kokainë, me peshë totale 7 gramë.

Por ajo që ka habitur karabinierët dhe hetuesit ka qenë fakti se tashmë trafikantët po përdorin si strategji edhe marrjen e makinave nga kompanitë që i lëshojnë me qira, për t’i përdorur me qëllime kriminale dhe mbuluar sadopak gjurmët apo ngatërruar investiguesit.

Dhe ky nuk ishte rasti i vetëm. Sepse disa orë më pas, pak kilometra më tej, oficerët duke marrë shkas nga rasti i parë, ushtruan kontrolle në një tjetër mjet të marrë me qira nga një shqiptar 20-vjeçar, informon media italiane. 

Në përfundim u zbuluan e fshehur poshtë sediljes së përparme, në anën e drejtuesit të mjetit, një kuti cigaresh me 5 mbështjellës lëndë narkotike të llojit kokainë, në total 3 gramë. Si provë u sekuestruan edhe 400 euro cash. Shqiptari u arrestua dhe për qëllime hetimore të mëtejshme.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    14 vite nga vrasja e 4 protestuesve, do bëjë SPAK drejtësi për 21 janarin?