Salerno- Një shqiptar i kërkuar prej katër vitesh dhe dënuar me rreth 6 vite burgim, është arrestuar tre ditë më parë nga policia e Salernos në Itali.
Aksioni është kryer orët e vona të mbrëmjes së 10 Tetorit dhe autoritetet e konfirmuan për mediat kapjen e të riut me inicialet P.H., ndaj të cilit Prokuroria kishte lëshuar një urdhër-arresti prej vitit 2020, kurse Gjykata e Pizës e kishte dënuar me 5 vjet e 8 muaj izolim.
Gjithashtu i ishte vendosur edhe një gjobë prej 1800 eurosh. Shqiptari ishte dënuar në bashkim dënimesh, për krime kundër “pronës dhe besimit publik”, shkruan media "Inveritas".
Nga aktivitetet info-hetimore të kryera nga policia dhe prokuroria italiane, i dënuari u gjurmua në vendbanimin e tij aktual në Casalbuono dhe u dërgua në burgun e Fuornit, për të vuajtur dënimin.