Corfinio- Një 24-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane dy ditë më parë (15 Gusht), kurse gjykata ka dhënë masën e arrestit shtëpiak, për posedim dhe shitje të kokainës.
Autoritetet publikuan edhe emrin e të dyshuarit, Hekuran Kalemi, një emigrant rezident në vendin fqinj, që njëkohësisht edhe punonte.
Media e vendin fqinj raporton se ai u ndalua orët e vona të së enjtes, me 80 gramë kokainë të paketuar, peshore elektronike precize dhe disa sende të tjera, në banesën e tij në Corfinio. I riu doli para gjykatës së Sulmonës, teksa gjyqtarja Alessandra De Marco aprovoi masën e shtrëngimit me izolim në banesë, e kërkuar edhe nga prokurori.
Në seancën e mbajtur, Kalemi me ndihmën e një përkthyesi, deklaroi se droga e gjetur në shtëpi ishte e destinuar ekskluzivisht për përdorim personal. Megjithatë, arsyetimi nuk u konsiderua i besueshëm nga gjyqtarja, e cila konfirmoi “indikacionet e rënda të fajit ndaj tij”.
Kurse pala mbrojtëse e përfaqësuar nga avokatja Arselinda Soshi, u përpoq të vinte në dyshim vlefshmërinë e dokumenteve hetimore. Në përfundim u vendos izolimi në banesë dhe refuzimi i lejes që shqiptari të shkonte në punë.
24-vjeçari u ndalua në kuadër të kontrolleve të intensifikuara për festën e “Ferragosto-s”. Policia njoftoi se hetimet janë ende aktive për rastin, “për të rindërtuar të gjithë zinxhirin e trafikut të drogës dhe zhvillime të mëtejshme që mund të përfshijnë subjekte të tjera nuk mund të përjashtohen”.