Itali- Supozohej të ishte thjesht një kontroll rutinë në një depo të dyshimtë, por që përfundoi me zbulimin e një sasie të konsiderueshme kokaine të fshehur në bagazhin e një makine që kishte qenë e parkuar për javë të tëra.
Aksioni u krye dy ditë më parë në një zonë në periferi të Coriano në Itali, ku dy kushërinj - një shqiptar 24-vjeçar dhe një italian 23-vjeçar, ndodheshin në një makinë që i përkiste motrës së të parit.
Operacioni u zhvillua në një depo që përdorej gjithashtu sipas hetimeve, si punishte mekanike (oficinë dhe servis), mesa duket pa lejet e nevojshme.
Brenda automjetit, i cili kishte qenë i parkuar për rreth një muaj për shkak të një avarie, oficerët gjetën 300 gramë kokainë. Kjo sasi shkaktoi arrestimin e menjëhershëm të dy personave, të cilët u kapën në flagrancë.
Gjatë seancës dëgjimore të vlefshmërisë, të mbajtur me procedurë të përshpejtuar në Gjykatën e Riminit, të dy të pandehurit pohuan se nuk ishin në dijeni të pranisë së drogës.
Gjyqtari Luca Gessaroli e vleftësoi të ligjshëm arrestimin, por zgjodhi një masë më të butë se ajo e kërkuar nga Prokurori Publik Stefano Celli, i cili kishte kërkuar paraburgim. Të dy burrat janë të detyruar të nënshkruajnë pesë ditë në javë në stacionin e Karabinierëve në Coriano.
Gjatë një kontrolli të mëvonshëm në shtëpinë e shqiptarit u gjetën edhe 3.5 gramë marijuanë, të cilën i riu ua dorëzoi vullnetarisht hetuesve. Meqenëse ishte për përdorim personal, gjyqtari vendosi të mos vazhdojë procedimin, informon media italiane.
Gjyqi do të rifillojë në fund të shtatorit, data e caktuar për seancën e ardhshme dëgjimore, në të cilën do të vendoset nëse dy të pandehurit do të jenë të kualifikuar për një gjykim alternativ. Ndërkohë, hetuesit po vazhdojnë hetimet e tyre mbi origjinën e drogës dhe çdo lidhje të mundshme me individë të tjerë.
Komente
