Është e mundur që Papa Françesku të japë dorëheqjen. Të paktën kështu mendon kardinali Gianfranco Ravasi, i cili është intervistuar gjatë emisionit Non Stop News në radion italiane RTL.
"Mendoj se ai mund ta bëjë këtë, sepse është një person që, nga ky këndvështrim, është mjaft i vendosur në zgjedhjet e tij",- theksoi ai.
"Deri më tani, ai ka vendosur të vazhdojë aktivitetin e tij, edhe kur, për shembull, pati vështirësi me gjurin, gjë që ndryshoi stilin e zakonshëm të marrëdhënieve publike të figurës papnore me gjithë komunitetin kishtar në mbarë botën, ai bëri atë batutën e famshme, sipas së cilës, Papa qeveris me trurin dhe jo me gjurin",- kujtoi Ravasi.
"Pra, ai gjithmonë ka pasur prirjen të luftojë dhe të reagojë, dhe kjo është gjithashtu një zgjedhje e ligjshme, pasi ka arritur të përballojë edhe udhëtime në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe sfiduese, si ai në Lindjen e Largët. Megjithatë, nuk ka dyshim se, nëse ai do të ndodhej në një situatë ku aftësia e tij për të pasur kontakte të drejtpërdrejta – ashtu siç ai e pëlqen – dhe për të komunikuar në mënyrë të menjëhershme, të fuqishme dhe vendimtare do të komprometohej, atëherë besoj se mund të vendoste të jepte dorëheqjen",- ka shtuar kardinali.
Ka kaluar qetësisht nata e gjashtë e Papa Françeskut në spitalin Policlinico Gemelli, ku është i shtruar që nga e premtja e kaluar (14 shkurt 2025) për shkak të një bronkiti që tani është kthyer në pneumoni.
Ai u shtrua për shkak të përkeqësimit të një bronkiti që e kishte prej disa ditësh dhe po ndjek një terapi me antibiotikë, e cila është rregulluar gjatë qëndrimit në spital pasi analizat mikrobiologjike zbuluan një infeksion polimikrobial në rrugët e frymëmarrjes.
Një skaner i kryer të hënën në mëngjes tregoi praninë e pneumonisë bilaterale, që prek të dy mushkëritë. Megjithatë, gjatë ditës së djeshme, mjekët vunë re një përmirësim të lehtë, veçanërisht në treguesit inflamatorë. Papa Françesku priti gjithashtu për një takim 20-minutësh kryeministren Giorgia Meloni, e cila e gjeti atë "të kthjellët" dhe me humorin e tij karakteristik.
Komente
