Pordenone- Një rrjet i shpërndarjes së sasive të konsiderueshme të drogës dhe pastrimit të parave është goditur nga policia italiane.
Aksioni është kryer në Pordenone dhe u njoftua sot (8 Janar), ku një shqiptar që qëndronte ilegalisht në vendin fqinj, u arrestua pas denoncimeve të qytetarëve, me rreth 22 mijë euro cash, një pjesë e mirë e tyre e fshehur në pelenat e mbesës së tij të vogël, si dhe një sasi kokaine.
Gjatë një patrullimi normal, karabinierët ndaluan një automjet, i cili rezultoi se drejtohej nga shqiptari, i cili nisi të bënte sjellje nervoze. Gjatë kontrollit iu gjetën mbi 2000 euro cash fillimisht.
Por zbulimet nuk u ndalën këtu, pasi një inspektim më i thellë konstatoi një objekt plastik, që zakonisht përdoret për të mbajtur lodrat e fëmijëve. Dhe brenda tij 7 doza kokainë, në total 10 gramë. Falë ndihmës së njësive të trajnuara të qenve, efektivët vendosën të zgjerojnë hetimet edhe në rezidencën e të dyshuarit, që ndodhet në provincën e Trevisos.
Kontrolli i shtëpisë solli rezultate befasuese. Policia gjeti një shumë parash të fshehur në një vend të papritur: 19.850 euro brenda pelenave të bebeve (mbesës së tij të vogël). Paratë u mbështollën dhe u hodhën në një kosh të banjës, të përziera mes pelenave të pastra dhe atyre të përdorura, nga mbesa më e madhe e shqiptarit, për të mbuluar provat. Besohet se këto para janë të ardhura nga aktiviteti i shitjes së lëndëve narkotike.
Ka dyshime se shqiptari bënte edhe pastrimin e këtyre parave nëpërmjet kamuflimit në pelena, duke ua dërguar personave konkretë, informon media italiane. I arrestuari akuzohet për dy krime: hyrje dhe qëndrim i paligjshëm në territorin kombëtar dhe tregtimi i lëndëve narkotike, teksa rrezikon edhe atë të pastrimit të parave.