Itali- Klani shqiptar i narkotrafikut dyshohej se kishte arritur të depërtonte deri në zyrtarët e lartë vendas në Bolonja, duke rekrutuar për shërbime të caktuara dhe bashkëpunim në transport të ngarkesave të kokainës që vinte nga Amerika e Jugut dhe shpërndahej kryesisht në Emilia-Romagna.
Në vitin 2023 organizata u godit nga policia e vendit fqinj, me të paktën 18 persona të implikuar, të gjithë të dënuar tashmë, në hetimet e nisura që prej vitit 2020.
Dje (8 Nëntor) ishte vendimi i radhës, ndaj Gianluca Fiores, shoferit të kamionit në Forli, i afërm i një ndaj zyrtarëve vendas, që u dënua përfundimisht me 8 muaj më shumë se ai që kërkoi më 12 Shtator gjatë pretencës prokurori i DDA-së së Bolonjës, Roberto Ceroni. Vendimi u dha nga gjyqtarja Nadia Buttelli.
Përfundimisht Fiore u dënua me 14 vjet e 8 muaj burgim, përveç pagesës së 50 mijë euro gjobë dhe shpenzimeve gjyqësore. Ai u gjet fajtor për bashkëpunim në trafikim droge me kamion të organizatës shqiptare. Operacioni çoi në sekuestrimin e 140 kg droge. Me gjykim të shkurtuar Fiore dhe 17 të tjerët, shumica shqiptarë, përfituan edhe uljen e rastit.
Hetimet treguan se sipërmarrësi lokal Fiore, ishte i implikuar në rrjetin e narkotrafikut, ku u dyshua i përfshirë gjithashtui edhe ish-anëtari i Ligës së Forlit, Gianluca Pini, i cili në qershor 2023 u arrestua për episode korrupsioni, që u lidhën me furnizimin me maska dhe pajisje mbrojtëse nga Kina për të furnizuar Autoritetin Shëndetësor Lokal Romagna, gjatë emergjencës Covid-19.
Pini më pas pranoi një dënim total prej një viti, 11 muaj e 14 ditë, me pezullim me kusht. Por emri i Pinit - një i njohur i biznesmenit Gianluca Fiore - nuk u lidh kurrë me hetimin e drogës, për mungesë provash direkte.
Në verën e vitit të kaluar, hetimi për trafikun ndërkombëtar të drogës çoi në arrestimin e 13 personave, kryesisht banorë në provincën e Forlit: u sekuestruan rreth 114 kilogramë kokainë, 37 kilogramë hashash dhe më shumë se një milion euro. Pesë të tjerë ishin ndaluar më herët.
Gjithsej dje ishin 17 dënime. Mes tyre 3 shqiptarët e dyshuar si drejtues, Redi Hoxha, me 20 vjet burg dhe të afërmit Agim dhe Bashkim Proshka, 19,4 dhe 19,6 vite izolim.
“Nga hetimi i drogës, i zhvilluar falë të dhënave nga platformat e koduara, dolën dy shoqata kriminale: njëra në Emilia, tjetra në Romagna, që vepronin midis provincave Forlì-Cesena dhe Rimini, të lidhura me njëra-tjetrën dhe të karakterizuara nga një strukturë e fortë hierarkike dhe fuqi punëtore e gjerë, me disponueshmëri të konsiderueshme parash, mjetesh transporti dhe ndërtesash, në kontakt të drejtpërdrejtë me përfaqësues të grupeve kriminale jashtë vendit”, shkruan “Ilrestodelcarlino”.
Emri i Fiores doli për herë të parë në gusht 2020, kur u arrestuan dy vëllezër italianë, të cilët po sillnin 28 kilogramë kokainë në Itali nga Belgjika, në bordin e një kamioni, të ndjekur nga një makinë në të cilën udhëtonin Fiore dhe një shqiptar. Kaq u desh dhe nisi që organizata me 18 anëtarë të zbërthehej.