Fermo- Karabinierët e Porto Sant'Elpidio në Fermo të Italisë, arrestuan një shqiptar 50-vjeçar në flagrancë, teksa po i shiste dozën e radhës një përdoruesi 45-vjeçar për 50 euro.
Efektivët vijuan kontrollin fizik dhe të mjetit, duke gjetur kokainë shtesë tek shpërndarësi. Kjo rriti akoma më shumë dyshimet se ai mund ta kishte kthyer banesën në bazë droge.
Me ndihmën e qenit antidrogë të njësisë, duke zbuluar edhe 52 gramë të tjera të ndara në 64 doza, si dhe një qese me 62 gramë marijuanë dhe një bllok kokaine me peshë 1.1 kilogramë. Më tej, brenda shtëpisë u gjetën edhe një peshore preçize, materiale të ndryshme për paketimin e lëndëve, si dhe një shumë parash 4880 euro, në kartëmonedha të prerjeve të ndryshme.
Karabinierët zbuluan edhe një strategji gati perfektë të shqiptarit, i cili pakon e kokainës e kishte sistemuar në një tjetër qese me vakum, që të mos nuhatej nga qentë antidrogë në rast kontrollesh.
Gjithashtu u zbuluan edhe kavanozë të mbështjellë me shirit, ku ruhej një pjesë e drogës në mënyrë që të groposej në raste rreziku nga policia, si dhe shmangia e dëmtimit të saj dhe rënies së cilësisë nga lagështira.
Policia zbardhi edhe skemën e shpërndarjes së shqiptarit. Çdo gjë bëhej me porosi dhe ai shkonte dhe ua linte te kutitë postare, nga të cilat shqiptari kishte dhe një kopje të çelësave përkatës. Aty lihej edhe pagesa nga ana e përdoruesve, informon media.
Policia tha se nëse do shitej në treg, e gjithë sasia e kokainës dhe marijuanës do sillte një fitim prej të paktën 100 mijë euro. I arrestuari u dërgua në Burgun e Qarkut Fermo, me urdhër të organit gjyqësor.
Komente
