Itali- Makinë me qira dhe Google Maps për të shpërndarë drogën tek klientët, arrestohet trafikanti 24-vjeçar i kokainës.
Policia italiane ndoqi një makinë nga Latina për në Terni, ku dyshohej se transportohej lëndë narkotike. Në total u gjetën 63 doza kokaine që do shiteshin, teksa u bllokua edhe mjeti tip “Fiat Panda”, i marrë me qira nga një kompani private.
I arrestuari është një shqiptar 24-vjeçar me inicialet K.J., pa precedentë të mëparshëm penalë.
Një detaj pikant nga aksioni policor ka qenë sjellja e të riut kur pa efektivët që i kërkuan nënshtrimin ndaj një kontrolli. Ai me shpejtësi u përpoq të fshihte telefonin ku kishte vendosur "Google Maps", të plotë me vendndodhjen për të arritur.
Gjithashtu ai ishte pa justifikim për arsyen e udhëtimit nga Latina për në Terni. Kjo solli edhe kontrollin fizik të tij dhe mjetit, ku u gjetën 70 gramë kokainë e ndarë në 63 doza, të fshehura në xhaketë. Përveç drogës, u sekuestruan edhe 1200 euro cash, të konsideruara të ardhura nga aktiviteti i trafikut të drogës. I riu u arrestua dhe pas konfirmimit nga gjyqtari i gjykatës, u dërgua në burgun e Ternit, informon media.
Dukuria e trafikut të drogës duke përdorur makinat me qira të kompanive private është kthyer në shqetësim për autoritetet, që së fundmi po i kalojnë në sitë të gjitha mjetet e dyshuara. Vetëm dje u raportua ndalimi i 2 shqiptarëve që përdornin këtë taktikë trafikimi.
Momenti i sekuestrimit të kokainës nga policia italiane
Komente
