ITALI- Rajoni i Emilia Romagnas po kalon momente dramatike për shkak të përmbytjeve, me të paktën 9 viktima , ndërsa ka edhe të zhdukur në zonën Forlì-Cesena dhe në Cesenatico.
Në pamje duket momenti kur një grua me fëmijën në krah kërkon me dëshpërim ndihmë për të shpëtuar nga vërshimi i ujit në banesën e saj. Disa fqinj, u hodhën në ujë dhe ia dolën t’i shpëton të dy, pasi përmbytjet u rritën me shpejtësi. Sipas ekspertëve një përmbytje e tillë nuk ndodhte që prej 30 vjetësh.
Kritike është situata edhe në Bolonja me përroin e Ravones që ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur një nga rrugët kryesore, duke bllokuar trafikun në qytet.
Ministri i Mbrojtjes Civile Nello Musumeci, tha se rreth 13 mijë njerëz janë evakuuar dhe se janë miratuar tashmë 10 milionë euro për shpenzimet e para dhe urgjencat.
Sipas uilancit të deritanishëm, 23 komuna kanë pësuar përmbytje të mëdha, ndërsa në terren janë 510 zjarrfikës dhe 5 helikopterë
Bashkia e Bolonjës bën të ditur se sistemi rrugor është i rrezikuar në shumë zona dhe se banorët duhet të bëjnë vetëm udhëtime shumë urgjente. Rrëshqitje dherash ka në zonat e Apenineve, me rrugë të mbyllura, qarkullimi i trenave është ndërprerë përgjatë vijës së Adriatikut. Po ashtu Riçione, Faenza, Bolonja, Ravena dhe Froli janë nën ujë, zona ku është lëshuar alarmi i kuq dhe nesër shkollat janë të gjitha të mbyllura. Marche dhe Abruzzo po përballen gjithashtu me rrëshqitjet e dheut dhe baltës, ndërsa në Veneto, me rikthimin e baticës së lartë, është urdhëruar edhe një herë ngritja e barrierave të Moses. Cikloni tunizian i ardhur nga Afrika e Veriut vazhdon të dëmtojë vendin, ku sipas parashikimeve reshjet dhe temperaturat e ulëta do të vazhdojnë të paktën deri të enjten.