Laurat Hoti, Florim Bytyçi, Burim Kuçi, Ilir Lekaj e Lulzim Bytyçi, emigrantë kosovarë që prej disa vitesh jetojnë e punojnë në Itali, janë vlerësuar me “Nënshtetësinë e nderit italiane” për gjestin e tyre heroik në shpëtimin e pesë të rinjve, të cilët pas një aksidenti rrugor ishin rrëzuar në një kanal me ujë së bashku me makinën.
Ngjarja tragjike ndodhi në afërsi të qytetit të Jesolo.
Në natën e 14 korrikut, 5 emigrantët kosovarë të gjithë me profesionin muratorë, ishin të parët që u gjendën në vendin e aksidentit e pa u hezituar u zhytën në ujë për të shpëtuar të rinjtë italianë.
Pesë emigrantët kosovarë, nxorën trupat nga uji e bënë ç’është e mundur t’i japin ndihmën e parë të rinjve të aksidentuar duke lajmëruar dhe mjetet e shpëtimit e ndihmën mjekësore.
Ishte familja e Giorgias dhe kryetarja e Bashkisë së Musile të cilët kontaktuan emigrantët kosovarë e në bashkëpunim me kryetarët e bashkisë së komunave përreth, vendosën t’i nderojnë për gjestin e tyre heroik me vlerësimin “Nënshtetësia e nderit italiane”, si shembull të një qytetarie model.