Itali - Plumbi me të cilin u plagos aksidentalisht një 31-vjeçar, gjatë një feste të organizuar në prag të vitit të ri 2024, rezulton të ketë dalë nga pistoleta e një deputeti italian.
Bëhet fjale për armën e deputetit të partisë “Fratelli d'Italia”, Emanuele Pozzolo.
Deputeti italian ka konfirmuar faktin se ai kishte marrë me vete në festën ku ishte ftuar armën e tij, por ka mohuar kategorikisht se e ka shkrepur atë.
Mediat italiane shprehen se një nga pistat e hetimit të prokurorisë së Biellës është që deputeti italian ka qenë duke i treguar armën, një mini revolver i markës North American Arms, disa të pranishmëve aty, kur ka shtënë gabimisht dhe si pasojë ka plagosur në këmbë 31-vjeçarin.
Aksidenti ndodhi në Rosazza, një qytet i vogël në Valle Cervo e sipërme, ku ishte organizuar një festë nga kryetarja e bashkisë, Francesca Delmastro Delle Vedove.
Politika italiane ka shfrytëzuar incidentin duke sulmuar verbalisht partinë në të cilën deputeti 38-vjeçar është pjesë.