Itali- Karabinierët e Matelica dhe Castelraimondo në Ankona të Italisë, arrestuan një 34-vjeçar shqiptar për trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa rezultonte një emër i njohur për autoritetet, kurse kunati i tij u kap teksa qëndronte në banesë dhe kishte një dënim nga Gjykata e Firences po për narkotrafik.
Shqiptari u pikas teksa udhëtonte me mjetin e tij dhe u shfaq i nervozuar. Pas një kontrolli personal dhe në shtëpi, iu gjetën 130 gramë kokainë, një peshore precize, lëndë prerëse dhe 180 euro në kartëmonedha me prerje të ndryshme, të ardhurat e një pazari droge të kryer pak më parë. Një pjesë e drogës ishte e kamufluar në mbajtëse duhani.
34-vjeçari, banor i Matelicas, u vu në arrest shtëpiak në shtëpinë e tij, në pritje të një seance dëgjimore për vërtetim. Në shtëpinë e të arrestuarit, oficerët gjetën gruan e tij, një shtetase shqiptare 31-vjeçare, dhe vëllain e saj 35-vjeçar, që banonte në një provincë tjetër.
Ky i fundit, nga ana tjetër, u gjet në posedim të 0.85 gram kokainë, 5 gram hashash dhe shumës prej 68500 eurosh cash, informon media italiane.
Nga verifikimet rezultoi se gjithashtu 35-vjeçari ishte subjekt i një urdhri ekzekutimi, dënimi të lëshuar nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Gjykatës së Apelit të Firences, duke qenë se duhej të vuante një dënim të mëparshëm për trafik droge. Prandaj, ai u arrestua dhe, pas formaliteteve të zakonshme, u dërgua në burgun e Fermos.
Hetimet zbuluan se gruaja 31-vjeçare kishte marrë pjesë me bashkëshortin e saj në furnizimin me një sasi narkotikësh dhe për këtë arsye ishte raportuar dhe po hetohet në gjendje të lirë për të njëjtin krim.
Komente
