Leçe- Përgjimet e telefonave të koduar me platforma SKY dhe ECC, ka zbuluar dy klane të fuqishme të trafikut të drogës në Itali, nëpërmjet Amerikës së Jugut, pjesë e të cilëve ishin edhe grupet shqiptare dhe spanjolle.
Operacioni i Antimafias së Leçes u zhvillua në rajonin e Puljas ditën e djeshme, me pjesëmarrjen e :Policisë dhe të Guardia di Finanza.
Bëhet fjalë për dy linja hetimore, që janë bashkuar mes tyre, në investigim të nisur që nga viti 2020 nga prokurorët antimafia dhe GdF, me 97 persona në total të dyshuar, prej të cilëve 72 të arrestuar deri tani.
Operacioni i djeshëm ka çuar pas hekurave 33 persona të tjerë, kurse 2 janë nën arrest shtëpiak. Mes të arrestuarve të djeshëm gjenden edhe 2 shqiptarë. Ata janë Selim Tila dhe Ervis Gjuzi, të dy 38-vjeçarë.
Në dosjen voluminoze gjendet edhe një episod i vitit 2020, kur është trafikuar një sasi prej 175 kg hashash dhe marijuanë me skaf nga Shqipëria, e sekuestruar në brigjet italiane. Në listën e të arrestuarve gjatë aksioneve të mëparshme katër vitet e fundit, ka edhe shqiptarë të tjerë.
Hetuesit thonë se, edhe pse anëtarët e klaneve si Sacra Corona Unita apo Ndragheta, që vepronin nga Salento në Leçe e Brindizi në bashkëpunim narkotrafiku dhe krime të tjera, përdornin telefona të koduar, është arritur që të përgjohen në vijimësi, deri në goditjen e tyre. Fal SKY ECC hetuesit arritën të dokumentonin aktivitetin e grupit kriminal.
Krimet e pretenduara në cilësi të ndryshme ndaj 97 bashkëpunëtorëve të dyshuar janë; shoqatë kriminale e tipit mafioz, trafik droge, pastrim parash, vetëpastrim, përdorim parash, mallrash apo shërbimesh me origjinë të paligjshme, transferim mashtrues vlerash dhe lëshim faturash për operacione inekzistente.
Prokuroria ka evidentuar bashkëpunimin e Sacra Corona Unita të Leçe, si dhe klanit Pepe-Brigante, grupi Penza, në krye të të cilit - sipas DDA - është Marco Antonio Penza, aktualisht i arrestuar për shoqatë mafioze në Nuoro. Të dyja këto bashkëvepronin edhe me Ndrageta-n kalabreze dhe grupet spanjolle e shqiptare.
Për të ndihmuar organizatën shërbente një konsulent tatimoro-financiar, Antonio Baldari, nga Leçe, ish-kontabilist, të cilit do t'i ngarkohej detyra të identifikimit të sektorëve të tregut, ku do të investohej për pastrimin e fitimeve të ardhura nga aktiviteti kriminal.
“Kjo i mundësoi shoqatës të zhvillonte jo vetëm një hegjemoninë territoriale në trafikun e drogës, por edhe një dominim progresiv nga pikëpamja ekonomiko-financiare nëpërmjet blerjes së një sërë vendesh publike (pub-e dhe restorante) dhe objekteve tregtare që funksiononin si "lavatriçe" të pastrimit të fitimeve të trafikut të drogës”, shkruan media “Senza Colonne News”.
Prokuroria ka zbardhur edhe skemën se si zhvillohej pastrimi i parave, nga dërgesat si “pagesa rroge” për biznese inekzistente, deri tek blerja e aktiviteteve tregtare dhe pasurive të patundshme.
Konferenca e Guardia di Finanza dhe Prokurorisë së Leçes për operacionin
Policia italiane ka publikuar edhe emrat e 2 prej shqiptarëve të arrestuar në operacionin e fundit. Ervis Gjuzi (Gjezi), 38 vjeç, rezident në Grottaglie dhe Selim Tila, po 38 vjeç, rezident në të njëjtën zonë.
Gjatë hetimeve janë sekuestruar sasi të shumta dhe të mëdha lëndësh narkotike. Janë zbardhur edhe disa episode trafiku, si në datën 7 gusht 2020, të dy personave që synonin të transportonin mbi 150 kilogramë marijuanë dhe 25 kilogramë hashash nga Shqipëria, me një mjet lundrues (skaf), të bllokuar pranë zonës së Kastros.
Më 10 qershor 2021, në Napoli, një person tjetër u arrestua dhe iu gjet në posedim rreth 45 kilogramë kokainë të fshehur në një fund të rremë të një kamioni, të specializuar të modifikuar, shkruan "Brindisi Report".
Më 4 qershor 2021, në Leçe, një tjetër bashkëpunëtor u arrestua dhe iu gjetën 11 kilogramë heroinë të fshehura në pjesën e poshtme të makinës dhe një armë. Qindra mijëra euro ishin shumat e lëvizura në para të gatshme.
Po kjo media zbardh edhe emrat e italianëve të arrestuar në operacionin e djeshëm, teksa jep edhe detajet e trafikut të drogës.